Hillary Clinton fton presidenten Osmani në ngjarjen “Clinton Global Initiative”
Me ftesë të ish-Sekretares së Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton, presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për vizitë pune në Bullgari, si e ftuar speciale në ngjarjen e organizuar nga “Clinton Global Initiative”.
Në një bashkëbisedë në kuadër të ngjarjes kryesore, presidentja Osmani dhe ish-Sekretarja e Shtetit Clinton do të flasin për rolin e grave në fuqizimin e ekonomive.
Presidentja Osmani do të marrë pjesë po ashtu në tryezën ekzekutive që organizohet në kuadër të këtij organizimi, përkrah të ftuarëve të shumtë nga bota e politikës, biznesit, filantropisë dhe shoqërisë civile.
Ndërkohë, në kuadër të vizitës njëditore,presidentja Osmani pritet të takohet edhe me Presidentin e Bullgarisë, Rumen Radev.
Clinton Global Initiative është themeluar në vitin 2005 nga ish-presidenti i SHBA-ve, Bill Clinton dhe ka për qëllim bashkimin e forcave të liderëve nga anë e mbanë botës me qëllim të ofrimit të zgjidhjeve konkrete për sfida globale.