13:46 / E Mërkurë, 27 Mars 2019 / indeksADMonline

Historia që do të duhej të na bënte të gjithëve të turpërohemi!

Duke lëvizur nëpër varrezat e dëshmorëve dhe martirëve në fshatin Celinë të Rahovecit, ku shkova për të bërë homazhe për 20 vjetorin e masakrës gjenocidiale që bëri shteti serb në vitin 1999, pranë një varri të një gruaje më ra në sy një djalosh. U ofrova dhe u përshendeta më të. Më bëri përshtypje edukata dhe modestia e tij sikurse edhe trishtimi që pasqyronin sytë e tij. E pyeta si quhej dhe bëra disa pyetje tjera të pa rëndësishme për të marrë guximin dhe për ta pyetur për gruan fytyra e së cilës na shikonte nga guri i varrit.

“Eshte nena ime”, me tha dhe vazhdoi rrifimin e tij sikur kishte kohe qe po e priste këtë moment për tu shprehur. Me ftoi ti lëvizim nëpër varreza.

“Ky eshte vëllau im Altini, atëherë kishte vetëm10 vjet. Edhe ky këtu është vllau im Bledari që kishte vetëm 4 vjet, kurse këtu afër janë gjyshi dhe gjyshja. Ky këtu është axha që e pësoi më së keqi sepse, e sheh kjo këtu është gruaja e axhës dhe këto varret tjera të katërtat janë të fëmijëve të tij; tri vajza dhe një djalë. Askush nuk i shpëtoi nga familja. Me vëllezërit e mi dhe fëmijët e axhes kemi ngrënë e ke kemi luajtur bashkë sepse jetonim në një shtëpi.”

Ai në qetësi vazhdoi ti mi tregonte me radhë 16 varret e familjes. Zeqiri që u masakruan në të njëjtin vend dhe te njëjtën ditë. Po ti, ku ishe atë ditë që ndodhi vrasja e pyeta, duke menduar se ndoshta nuk ndodhej në shtëpi.

” Aty isha me ta. Mbetem të fundit vetëm unë dhe axha, por në përpjekje për të shpëtuar e ekzekutuan edhe axhën tim. Ata, në atë moment kanë mundur të më ekzekutonin edhe mua, por për çudi nuk e bënë”.

Çfarë ndodhi me ty pastaj, e pyeta unë.

“Më morën me vete, mi lidhen duart me një zinxhirë dhe më mbajtën të mbyllur në shtëpi. Kur erdhi mbrëmja u befasova që të gjithë vishen pizhamat dhe u shtrinë të flejnë sikur ajo ditë të ishte nga më të rëndomtat. Unë mbeta vetëm më komandantin e tyre deri në mengjes. Në mengjes më thanë diçka në gjuhën serbe dhe bënin sikur donin të më vrisnin. Vdekjen e prisja në çdo minutë. Në një moment njëri nga paramilitarët serb, si duket i vinte gjynah dhe kërkoi që të më lironin. Mi zgjidhën duart dhe me than: dil, ec!. Kur dola në oborr, afër koshit të misrit, dhe në gjuhën shqipe thjeshtë i pyeta, a bënë ti zgjidhë qentë, të cilët ishin të lidhur dhe me vinte gjynah prej tyre që nuk kishte kush ti ushqente. Njëri nga policët ma ktheu në gjuhën shqipe dhe ma lejoi ti zgjidhë. Ndjeva njëfarë gëzimi që i lëshova qentë dhe vazhdova rrugën, derisa pak metra më poshtë më ndali prapë policia serbe dhe njëri nga ta tha, vrajeni. Në atë moment i thashë, mosni bre se unë tërë natën e kam kaluar me komandantin dhe policët serb dhe ata më liruan, kurse ju po doni të më vritni. Nuk e di si, por më liruan edhe ata dhe kështu vazhdova rrugën i lodhur dhe i uritur. Gjatë rrugës pata edhe një rast tjetër kur ndodhësha para ekzekutimit, por shpëtova. Pastaj fatmirësisht erdhi një kamion që barte bukë dhe më mori sespse ndoshta nuk do t´ja kisha dalë të ecja në këmbë ato 7 km, për të arritur deri të një familjar i yni”.

Në atë moment, sikur dëshironte të ma vertetonte atë që më tha, më drejtoi drejtë një shtëpize të vogël, mbi varreza: “A po e shehë_ Atje në atë minimuzei ke të ekspozuara fotografitë e familjes sime. Nëse don mund ti vizitosh. Unë nuk kam mundur të hyj brenda qe 14 vite, sepse nuk po mundem të përballëm as sot e kësaj dite me to”, dhe e largoi shikimin sikur nuk donte që t´ja shihnim sytë e përlotur.

Ja vendosa dorën në krahë dhe i thashë që është në rregull dhe as sot mos eja brenda. Ti na prit jashtë deri sa unë ti vizitojë fotografitë e ekspozuara. U nisa drejtë asaj shtëpize bashkë me disa qytetarë tjerë që më shoqëronin. Çka të shihje në ato mure? Fotografi me grumbuj njerëzish të masakruar në mënyrën më çnjerëzore.

“Kjo është familja ime. Ja këta janë fëmijët që ti tregova më herët” u dëgjua befas zëri i tij i cili pa e vënë re na kishte ndjekur pas. U rrënqetha nga zëri i tij dhe tani të dy po qëndronim përballë fotografive. I shikuam më radhë të gjitha fotografitë dhe dolëm përsëri te varrezat. Ishte një ndjenjë që të merrte frymën dhe për t´ja shperqendruar vëmëndjen e pyeta se çfarë bënte tani.

Ai nisi tregimin e tij kështu: “Kam përfunduar studimet bachelor, kam përfunduar të gjitha provimet në master, kam dorëzuar temën dhe tani po pres datën për ta mbrojtur”. U gëzova kur dëgjova për suksesin e tij, por ky gëzim nuk zgjati sepse ai vazhdoi dhe tregimi i tij më ngulfati shpirtin.

“Kam vuajtur shumë derisa jam shkolluar. Për të gjitha më është dashur të kujdesem vet. Kam shkuar dy herë me punë sezonale jashtë Kosove për ti financuar studimet. Nuk kam dashur asnjëherë të kërkoj lësmoshë nga askush. Kam bërë shumë mund e sakrificë për t´u shkolluar, por çka ti bëshë, pas diplomimit nuk gjeta një vend pune të sigurtë.Kam punuar një kohë me kontratë mbi vepër në njërin prej institucioneve të Kosovës, por nuk e kisha të siguruar këtë vend pune.”

Po tani çfarë jeni duke bërë? e pyeta.

“Kam dalë që një vit me një vizë pune në Gjermani. Sot kam ardhë enkas për këtë përvjetor, që të jem këtu dhe ti përkujtoj familjarët dhe bashkfshatarët e mi”. Mbeta pa fjalë nga trishtimi dhe nga turpi.

Ai vazhdoi të fliste me krenari që përkundër tmerrit që kishte përjetuar, ja kishte dalë që me forca të veta të shkollohej. ” Nuk kam dashtë ti pëkulem askujtë më tha, dhe po të tregoj që studimet i kam mbaruar me sukses shumë të mirë” ndërsa unë po rrija e heshtur sepse nuk me besohej se si nuk paska pasur mundësi të gjindet një vend pune me kontratë të rregulltë për një djalë të përgatitur profesionalisht e që mbi supet e tij të njoma mbante një histori në vete!!!.

Ishte pjekur para kohe, prandaj edhe e kuptoi atë që ndjeja në atë moment. ” Më fal që të ngarkova me historinë time dhe ndoshta të mundova, por ti nuk ke asnjë faj, sepse ne për herë të parë po takohemi dhe as që njihemi. Me kënaqësi të kisha ftuar për një kafe në shtëpinë time po që se ke pak kohë”.

Pasi kisha planifikuar të vizitoja edhe familjen e heroit Rifat Dina, e pyeta se ku e kishte shtëpinë dhe i thashë që pas gjysmë ore do të shkoja. Pas vizitës në familjen e heroit Rifat Dina u nisa për tek shtëpia e atij djaloshi i cili më priti më dashamirësi dhe burrëri. Aty takova edhe mysafirë të tjerë të cilët kishin shkuar për nderime dhe për të ndarë dhimbjen për atë që kishte ndodhur 20 vite më parë. U ndava e inkurajuar me fjalët dhe qëndrimin e Valon Zeqirajt, i cili në kohën kur kishte ndodhur masakra mbi familjen e tij kishte vetëm 12 vite, ndërsa sot, me kuptimin e plotë të fjalës ai meriton epitetin e një burri stoik, i patrembur dhe intelektual, krenar dhe me shpirtë shumë fisnik.

Për jetën e tij mundë të shkruhen libra e të bëhën filma të tërë, por unë po e përfundoj me kaq këtë tregim, duke u ndjerë krenare për Valonin por e turpëruar për moskujdesin e shtetit me të dhe me shumë Valona tjerë të cilët janë të shpërndarë nëpër gjithë territorin e Kosovës. Kjo rini e cila ka vetëbesimin për ta sfiduar jetën dhe këtë kohë të pambarim tranzicionale janë themeli më i fortë i shoqërisë sonë. Duhet t´u ipet vendi i merituar. Ka ardhur koha për reforma të thella dhe të mirëqena spepse po humbim shumë. E ardhmja nuk na fal nëse vazhdojmë të jemi konformistë në vend që të indinjohemi dhe të ngrihemi e të kërkojmë reforma në këtë sistem.

Shkruan: Ganimete Musliu, deputete e Kuvendit