16:30 / E Diele, 07 Prill 2019 / indeksADMonline

Holandezi bën udhëtimin më të gjatë në botë me veturë elektrike

Një holandez përmbylli sot në Sidnei një udhëtim me automjet elektrik prej 95 000 kilometrash në gjithë botën, për të promovuar këtë model transporti përballë ndryshimeve klimatike.

Wiebe Walker përdori veturën e tij “Blue Bandit”, që ai e ka modifikuar në një automjet elektrik, duke kaluar në 33 shtete, që sipas atij është udhëtimi më i gjatë në botë me një veturë elektrike.

Iu deshën më shumë se tre vite për të zhvilluar këtë udhëtim nga Holanda deri në Australi. Udhëtimi u financua nga dhurime, që kanë kontribuar në furnizimin me energji të “Blue Bandit” si dhe për sigurimin e ushqimit dhe strehimit.

Ai ka kaluar mes Turqisë, Iranit, Indisë, Birmanisë dhe Indonezisë, një rrugë që e kishte zgjedhur nëpërmjet propozimeve që kishte marrë në faqen e tij në internet.

“Dua të ndryshoj opinionin e njerëzve, t’i frymëzoj që të përshtatin mjetet elektrike, duke treguar avantazhet e lëvizshmërisë së qëndrueshme”, shpjegoi ai./Indeksonline/