17:45 / E Mërkurë, 22 Dhjetor 2021 / LB

Hoti e mbështet Bajram Qerkinin pas komenteve fyese

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti i ka dalë në mbështetje pas fyerjeve që i janë bërë në rrjete sociale Bajram Qerkinit nga “Shoqata e Familjarëve të Personave të Pagjetur”.

Hoti ka publikuar një fotografi të Qerkinit, në rrjetin social “Facebook”.

Ditë më parë Qerkini nga “Shoqata e Familjarëve të Personave të Pagjetur” e ka kritikuar kryeministrin e Kosovës se ka përdorur çështjen e ndjeshme vetëm për vota.

“Kurti u mor me të pagjeturit vetëm për vota,” është shprehur  Bajram Qerkini, duke kërkuar më shumë punë në këtë çështje nga ana e Qeverisë Kurti.

Pas kësaj në drejtim të Qerkinit kanë vërshuar komente fyese në rrjete sociale.

Ndaj kësaj ka reaguar sot edhe KMDLNj.

Ata kanë kërkuar nga Policia e Kosovës që të nisin hetimet lidhur me këtë rast.

“KMDLNj kërkon nga Policia e Kosovës të nis hetimet për këto komente të ulëta dhe është i sigurtë që Njësia për Hetime të Krimeve Kibernetike ka kapacitet të mjaftueshëm profesional ta bëjë këtë. Përdorimi i gjuhës së urrejtjes sanksionohet si vepër penale dhe në asnjë mënyrë nuk mund të arsyetohet me lirinë e fjalës dhe lirinë e shprehjes”, thuhet në reagimin e KMDLN-së.