Hoti: Kryeministri përfaqëson shtetin në dialog,do të nisem në Uashington
Kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti tha gjatë një interviste në emisionin “Opinion” se kushtetuta i jep atij të drejtën për të përfaqësuar Kosovën në procesin e dialogut me Serbinë.
Hoti tha se tashmë Kosova ka ndërtuar të gjitha mekanizmat për t’u përfaqësuar në këtë dialog dhe pohoi se është i gatshëm të shkojë në takimin e Shtëpisë së Bardhë, në ftesën më të parë që do të ketë.
Ai në opinion tha se për këtë takim janë parashikuar objektiva dhe se nuk diskutohet integriteti territorial i vendit, por çështje që lidhen me njohjen reciproke.
Fevziu: Nëse zoti Grenell ose Shtëpia e Bardhë ju fton sërish për një takim, do të shkoni?
Hoti: Unë kam pas ftesë që të shkoj edhe pasi ndodhi dhe ka qenë insistim i Ambasadorit Grenell që unë të shkoj, mandej u ra dakord që ky takim të spostohej për një datë tjetër.
Fevziu: Pra një spostim derisa të qartësohet situata dhe akuzat ndaj presidentit në Kosovë?
Hoti: Jo, u spostua deri sa ne të konsolidojmë një ekip shtetëror që përfaqëson Kosovën.
Fevziu: Si e kuptoni këtë konsolidim? Nëse presidenti nuk jep dorëheqjen, por njëkohësisht nuk mund të shkojë në takim nisur nga akuza, si do ndërtohet delegacioni?
Hoti: Delegacioni është ndërtuar. Në aspektin kushtetues është Kryeministri i vendit që përfaqëson shtetin në procesin e dialogut. Ajo që unë po bëj është që të kemi një përfshirje të forcave politike. Dje në mbledhje të qeverisë kemi themeluar një zyrë dhe jemi dakordësuar në sallën e kuvendit, që kuvendi të jetë i përfshirë në proceset. Pra kemi ndërtuar mekanizmat.
Fevziu: Me këto mekanizma që keni ndërtuar që janë funksionale, do të niseni në Uashington në ftesën më të parë?
Hoti: Po, sigurisht.
Fevziu: Edhe në mungesë të presidentit?
Hoti: Për procesin e dialogut kushtetua është e qartë, që e përfaqëson kryeministri.
Fevziu: Është një dialog shumë i diskutuar. A keni dijeni nëse në Shtëpinë e Bardhë do të flitet për demarkim apo korrigjim kufiri?
Hoti: Nuk diskutohet për çështje territoresh, nuk diskutohet integriteti territorial, karakteri i shtetit. Marrëveshja duhet të jetë në përputhje me kushtetutën. Kemi parashikuar objektiva, njohje reciproke dhe normalizim i çështjeve që janë derivat i njohjes reciproke.