17:34 / E Diele, 05 Prill 2020 / indeksADMonline

Hoti – Kurtit: Kosova e ka kalu kohën e gjakderdhjes, problemet zgjidhen me mjete politike

Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, i është përgjigjur kryeministrit të Kosovës në detyrë, Albin Kurtit, i cili tha se dikush po do gjakderdhje në Veri për t’i hapur shampanjat e ndarjes së Kosovës. Sipas Hotit, të gjitha problemet do të zgjidhen me mjete politike.

“Këto ditë është përmendur shpesh fjala “gjakderdhje” nga disa politikanë, aq shumë saqë është bërë term i përdorur edhe në diskutime të problemeve financiare dhe ekonomike. Për fat të mirë, populli i Kosovës e ka kaluar kohën e gjakderdhjes. Nuk do të ketë asnjë gjakderdhje tjetër”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Ai po thotë se të gjitha problemet do të zgjidhen me mjete politike.

Të gjitha çështjet e pazgjidhura në politikën e brendshme dhe të jashtme, sado të vështira të jenë, do të zgjidhen me mjete politike, demokratike e kushtetuese. Këtë e sigurojmë ne, dhe ndjehemi besimplotë në këtë lloj qasje të zgjidhjes së çështjeve të hapura politike, sepse kështu na sigurojnë miqtë tanë euroatlantik”, shkruan Hoti.