19:45 / E Martë, 20 Shkurt 2018

Hoti mbi domosdoshmërinë e përfshirjes së njerëzve të mençur në politikë dhe institucionin e Rexhep Qosjes

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Rexhep Hoti, i ftuar në emisionin “Open”, në Radio Televizionin Publik të Maqedonisë, ka thënë se në politikë është e domosdoshme të bëhen kompromise sepse ky është çmimi që duhet paguar. Ai ka theksuar se në politikën kosovare është e domosdoshme të ketë përfshirje të më shumë njerëzve të mençur, ndërsa Akademik Rexhep Qosjen e ka konsideruar “institucion”.

“Në politikë është pamundur të mos bësh kompromise”.

“Edhe unë kam bërë kompromise politike. Jo të mëdha, por për mua janë të mëdha, për vendin ku unë jam rritur janë të mëdha. Për dikë mund të mos duken fare. Është pamundshme të rrish në skenën politike për 18 vjet e të mos bësh kompromise…”.

“Kur e pata filluar përplasjen me UNMIK-un, të gjithë në politikë ishin të shtrirë në tokë prej UNMIK-ut. Dhjetë vite pasi e përfundova atë luftë, të tjerët filluan të krenoheshin me gjëra të tilla. Mirëpo, gjërat dhe proceset që po flasim gjithmonë kanë çmim”.

Ai ka theksuar se për të bërë ndryshime në politikë e shoqëri duhet “të jemi pjesë e sistemit”, duke iu referuar kështu sistemit politik në Kosovë. Në të kundërtën, nuk mund të jepet kontribut e të tregohet mençuri.

“Në jetë duhet të kalkulosh, duhet të jesh brenda sistemit apo duhet të jesh jashtë sistemit. Unë mendoj se nuk është më koha që ne të rrimë jashtë sistemit. Ne duhet të jemi të pakompromis, ta kultivojmë ironinë, kritikën. Por, jo në përmasën sa të jemi jashtë sistemit”.

“Duke qenë jashtë sistemit, shkojnë vite e s’mund të ndihmosh dot aty. Për shkak se masa e politikës përbëhet prej injorancës”.

“Njerëzit e mençur duhet të hyjnë në politikë dhe duhet injorancën ta kthejnë mbarë. Kjo është politikë. Flas për pjesën që pretendon se është në ‘rregull’, që të futet dhe t’i rregullojë ata që janë aty brenda. Kjo për mendimin tim është ajo shkathtësia që Bismarck-u e quante politikën artin e të së mundshmes”, njofton Klan Kosova.

Hoti ka bërë edhe një krahasim në mes të veprimtarisë dhe personalitetit të Rexhep Qosjes dhe Ismail Kadaresë, duke e vlerësuar Qosjen si një njeri që nuk fal dhe nuk bën kompromise.
“Për shqiptarët po aq i madh sa Ismail Kadare është edhe Rexhep Qosja, por meqë Qosja jeton midis nesh, nuk jeton jashtë, ka prononcime më të shpeshta, edhe politike”.

“Merr anë me shumë të drejtë dhe është një luftëtar i paepur për të vërtetën. Nuk është njeri që bën kompromise. Unë kam qenë shpesh i goditur prej tij, tmerrësisht keq. Është njeri që nuk të fal. Është njeri që është rritur me parimet e veta dhe jeton për shqiptarët”.

“Ai e ka krijuar veprën e vet për shqiptarët, që për mendimin tim, është një institucion në vete. Punën që ka bërë Rexhep Qosja për shqiptarët, ashtu siç është Kadare në një rrafsh tjetër, do të duhej ta bënin, të punonin institucione të tëra e nuk do ta bënin dot. Është një pasuri e jashtëzakonshme kombëtare dhe shtetërore për shqiptarët”.