19:27 / E Enjte, 14 Shkurt 2019 / indeksADMonline

Hoti në Gjakovë: Me Programin Nacional për Rininë keni mundësinë të ndryshoni të ardhmen

Rexhep Hoti, Koordinator Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në Qeverinë e Republikës së Kosovës takoi sot drejtorët e shkollave të Komunës së Gjakovës të kryesuar nga Drejtori Komunal i Arsimit, Bernard Frrokaj.

Koordinatori Hoti prezantoi para drejtorëve të shkollave Programin Nacional për Rininë dhe i njoftoi ata për fillimin e implementimit të tij që nga java e ardhshme.

“Të gjithë e dimë se sa i rëndësishëm është arsimi për shoqërinë. Me Programin Nacional për Rininë keni mundësinë që të ngrisni cilësinë në arsim dhe të ndryshoni të ardhmen e vendit. Ky program është i dizajnuar të realizohet në formë të garës në dituri, kreativitet kulturor dhe mendim kritik si dhe në sport dhe do të fillojë së implementuari javën e ardhshme”, tha Koordinatori Hoti.

Ndërsa drejtori Frrokaj tha se Komuna e Gjakovës do të përkushtohet për implementimin e programit ashtu siç është paraparë dhe kërkoi nga drejtorët që të bëjnë më të mirën pasi që programi do t’i ndihmojë arsimit.

Programi Nacional për Rininë përfshin të gjithë nxënësit e nivelit parauniversitar dhe universitar në Republikën e Kosovës në tri fusha: Kreativitet Kulturor dhe Mendim Kritik, Dituri dhe Sport.