14:09 / E Shtunë, 26 Shtator 2020 / indeksADMonline

Hoti për arrestimet e krerëve të OVL UÇK: Veprimet e Dhomave të Specializuara duhen respektuar

Kryeministri Avdullah Hoti ka reaguar pas arrestimeve të krerëve të OVL UÇK-së dje nga Policia e EULEX-it.

Ai tha se Qeveria e Kosovës konsideron se veprimet e Dhomave të Specializuara burojnë nga detyrimet dhe përgjegjësitë e tyre ligjore dhe kushtetuese dhe si të tilla duhet konsideruar si veprime të pavarura të drejtësisë.

“Qeveria e Republikës së Kosovës beson se drejtësia është mbi të gjitha, dhe se duhet respektuar plotësisht. Po ashtu, Qeveria e Republikës së Kosovës e njeh si të pa tjetërsueshëm qëllimin e pastër e të shenjtë të popullit të Kosovës në luftën për liri”, ka shkruar ai në Facebook.

Dje në një aksion të Policisë së EULEX-it në zyrat e OVL UÇK-së u arrestuan kreytari i kësaj organizate Hysni Gucati dhe nënkryetari Nasim Haradinaj.

Ndërsa, ish-eprori i UÇK-së nga zona operative e Llapit, Salih Mustafa, ishte i arrestuari i parë nga Dhomat e Specializuara vetëm një ditë para se të arrestoheshin Gucati dhe Haradinaj.