75 Mall Live Search
19:10 / E Diele, 17 Qershor 2018 / indeksADMonline

Hoti: Serbia ta marrë përgjegjësinë për krimet e luftës

Ndarja e Kosovës si opsion për zgjidhjen finale me Serbinë, po promovohet çdo ditë e më tepër nga politikanët serbë. Aleksandar Vulin, Rasim Lajiq e Ivica Daçiq disa herë e kanë përmendur këtë opsion, duke e cilësuar si mjaft pozitiv për Serbinë.

Por zyrtarët e lartë shtetëror në Kosovë vazhdimisht e kanë hedhur poshtë mundësinë që të ketë ndarje të Kosovës.

Se ndarja nuk do të ndodhë po thotë edhe nënkryetari i PDK-së, Rexhep Hoti.

Hoti në një intervistë me shkrim për lajmi.net ka deklaruar se ndarja nuk mund të ndodhë pa e marrë Kosova Sanxhakun dhe luginën e Preshevës. Duke e cilësuar këtë opsion si të pamundur.

Madje Hoti thotë se në këtë formë do të duhej të shkëputej edhe Vojvodina nga Serbia.

“Kosova dhe shqiptarët kanë tjetër pozitë gjeostrategjike. Kanë SHBA. Kanë Shqipërinë në NATO. Kanë Maqedoninë Veriore në bashkëkrijim. Kanë njohje zyrtare nga të gjitha vendet fqinje, përjashto Serbinë. Kanë shtet të organizuar, të strukturuar dhe kanë BRSH-në, pra dimensionin ushtarak shtetëror, njëra prej mrekullive të kohës për rajonin, dhe nga e gjithë kjo mund të kuptohet vaji i klasës politike serbe, qoftë si provokim, ngacmim, lajm i rremë apo diçka tjetër”, tha fillimisht Hoti.

“Ndarja nuk është në rend të ditës. Në të kundërtën nuk mund të ndodh ndarja pa e marrë Kosova Sanxhakun, pjesën e saj në Serbi dhe Sanxhakun, pjesën e saj në Mal të Zi. Nuk mund të ndodh ndarja re Kosovës pa e marrë Kosova luginën e Preshevës. Nuk mund të ndodhë ndarja pa u shkëput Vojvodina prej Serbisë. Siç mund të shihet janë disa aspekte të vogla që e komplikojnë ndarjen e Kosovës”,deklaroi tutje ai.

Në shtetin serb ndarjen e Kosovës po e vlerësojnë si opsion real për ta pamundësuar sipas tyre, krijimin e “Shqipërisë së Madhe”.

E deklarata serbe për “Shqipërinë e Madhe”, Hoti po i vlerëson si propagandë dhe frikë nga shteti serb.

Nënkryetari i PDK-së propozon që faktori politik në vend të jetë i unifikuar ndaj situatës aktuale në raport me Serbinë.

“E para të mbahet një qëndrim zyrtar në pajtim me Kushtetutën e republikës së Kosovës. E dyta, faktori politik i Kosovës duhet të jetë i unifikuar sa i përket kësaj çështje. E treta, Kosova duhet të marrë përgjegjësitë e veta e Serbia duhet të marrë e veta”, thotë Hoti për lajmi.net.

Tutje ai kërkon që Serbia ta marrë përgjegjësinë për krimet e luftës dhe pushtimin e Kosovës.

Duke folur për fazën finale të dialogut, Hoti ka bërë thirrje që negociatat me Serbinë të jenë gjithpërfshirëse dhe unifikuese.

Për zbatimin e marrëveshjes së Asociacionit, nënkryetari i PDK-së theksoi se duhet të bëhet në bazë të tri parimeve themelore të Kushtetutës.

“Asociacioni vetëm me karater këshilldhënës i ndërtuar mbi tri Parime themeolore Kushtetuese:  Mbi parimin shumëetnik të Kushtetutës, mbi parimin e asociimit, mbi parimin: Kosova është e shqiptarëve dhe e të gjitha komuniteteve tjera që jetojnë brenda saj”, përfundoi nënkryetari i PDK-së, Rexhep Hoti.

Kur po hyjmë në fazën finale të dialogut, në Kosovë ka përçarje ndërmjet partive politike për atë se kush duhet ta udhëheq këtë proces.

Edhe platforma e propozuar nga qeveria për dialogun me Serbinë u tërhoeq nga Kuvendi, për t’i dhënë hapsirë konsensusit.