11:44 / E Martë, 09 Gusht 2022 / AR

‘House of Zana’ mposht ‘Zara’, marka e shqiptares triumfon ndaj gjigantit britanik të modës

Amber Kotrrit, e cila drejton “House of Zana” me bazë në Darlington, i ishte thënë nga “Zara” se biznesi i saj ishte “konceptualisht identik”. “Zara” kishte argumentuar se kishte një “shkallë të lartë ngjashmërie vizuale” midis dy markave. Por një gjykatë zbuloi se lidhja ishte “shumë e parëndësishme”.

Mamaja e tre fëmijëve, zonja Kotrri tha se puna me avokatët i ka kushtuar kohë të humbur dhe stres të paparë. Ajo tha se gjykimi ishte një peshë e rëndë, e hequr nga supet: “Ka qenë më shumë se një vit shumë stresues në jetën time si nënë e tre fëmijëve të vegjël, si edhe në biznes, pasi kam shpenzuar orë e orë të tëra për përgatitjen e dokumenteve të provave. Data e lindjes së vajzës sime përkoi me kohën kur u caktua prova e fundit, kështu që nuk ka qenë e lehtë”.

Zonja Kotrri tha se kishte marrë një email që e informonte për vendimin e gjykatës ndërsa ishte në një shfaqje teatrale me tre fëmijët e saj, por iu deshën disa ditë për të krijuar guximin dhe hapur atë. “Ishte një dokument mjaft i gjatë dhe unë nuk mund të kuptoja shumë prej tij”, – shtoi ajo.

Megjithatë, shqiptarja është tashmë e lehtësuar, në gjendje të vazhdojë ta rrisë biznesin: “Ka qenë shumë stresuese, por ne fituam”. Në maj, zonja Kotrri, e cila përfaqësonte veten në gjykatë, tha në seancë se nuk kishte nuk kishte gjasa për t’i ngatërruar markat.

“Zara” kishte argumentuar se aplikimi për markën tregtare “House of Zana” duhej të refuzohej sepse ishte shumë i ngjashëm në emër (Zara-Zana), gjë që mund të rezultonte në ngatërrimin e një marke tregtare me një tjetër nga klientët.

Julia King, që përfaqësonte “Zara”, tha se emri ‘Zana’ ishte fare pak i ndryshëm nga ai i klientit të saj, gjë që mund të rezultojë në ngatërrimin e një marke tregtare me një tjetër nga klientët. Kjo mund të përbënte një “kërcënim serioz” për “Zara”, nëse tregu ishte i mbushur me marka që dukeshin të ngjashme.

Megjithatë, gjykatësi Matthew Williams vendosi se çdo “lidhje mendore” e bërë nga klientët midis “House of Zana” dhe “Zara” do të ishte “shumë e parëndësishme dhe afatshkurtër” për të rezultuar në “shfrytëzim” të reputacionit të markës së njohur britanike.

Zonja Kotrri, bashkëshorti i së cilës është po ashtu shqiptar, e themeloi dhe e quajti kompaninë e saj në vitin 2019 sipas fjalës së vendit ballkanik për “zanat”. Ajo tha se u kontaktua nga avokatët e “Zara” vitin e kaluar, pasi u përpoq të reklamonte markën e saj.

Zonja Kotrri tha se kishte qenë gjithashtu në kontakt me më shumë se 10 pronarë të tjerë të bizneseve të vogla, të cilët ishin kontaktuar nga kompania e njohur e modës, duke iu kërkuar atyre që të riemëroheshin për shkak të ngjashmërive me emrat.

Zonja Kotrri tha: “Kushdo që është në një pozicion të ngjashëm do t’i thoja: vazhdoni të luftoni, do t’ia vlejë në fund. Jini të guximshëm dhe injoroni mënyrën kërcënuese të formulimit të shkronjave ligjore.

Ju e njihni më së shumti biznesin tuaj, ju e dini kuptimin pas çdo emri dhe nëse e keni ndërtuar atë, atëherë luftoni për të. Nuk mund t’iu thoja fëmijëve të mi se e mbylla biznesin tim sepse më tha dikush më i madh”.

“Inditex”, kompania-mëmë e “Zara”, është një nga grupet më të mëdha të modës në botë me 6.477 dyqane, duke përfshirë Bershka, Pull & Bear dhe Massimo Dutti. Një zëdhënës i “Zara” tha se, ndërsa nuk donin të komentonin gjykimin, kompania “vazhdon t’i urojë” zonjës Kotrri dhe biznesit të saj “sukses në të ardhmen”.