15:50 / E Enjte, 01 Shkurt 2018 / indeksADMonline

Hoxha për Agjencinë APA: Aq sa ne bëjmë përparime, i japim argumente BE-së në procesin integrues

Marrëveshja e Stabilizim Asociimit ka qenë një hap në procesin e integrimit, është finalizuar gjithashtu me mbështetjen e pesë shteteve të BE-së që nuk e kanë njohur Kosovën, aq sa ne bëjmë përparime, ne i japim argumente Bashkimit Evropian në procesin integrues, ka theksuar Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në një intervistë për gazetaren e Agjencisë austriake, APA, Gisela Linschinger në Vjenë.

Kosova ka marrëdhënie të mira me vendet fqinje, ka theksuar Ministrja Hoxha, deri sa Serbia refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës, është e qartë që marrëveshja për dialog nuk mund të vazhdojë pafundësisht duke shtuar se qëllimi i Kosovës është njohja e ndërsjellë e plotë dhe normalizimi i marrëdhënieve. Ndërsa ajo vë në dukje se për Serbinë, gjithashtu, kjo është një parakusht për anëtarësimin në BE dhe se asnjëra prej shteteve nuk dëshiron të parandalojë hyrjen e njëri-tjetrit në BE.

Këtu është intervista e plotë:

Kosovarische Ministerin: 2018 soll das Jahr der Reisefreiheit werden

Hoxha fordert Konkretisierung des Kosovo-Beitrittsprozesses in EU-Erweiterungsstrategie – Kandidatenstatus soll bis 2020 erreicht werden

Ministrja Hoxha bën thirrje për konkretizimin e procesit të pranimit të Kosovës në strategjinë e zgjerimit të BE-së, statusi i kandidatit duhet të arrihet deri në vitin 2020

Ministrja kosovare e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, dëshiron ta udhëheq vendin në BE nëpërmjet procesit të integrimit. “Plani për vitin 2018 është të çoj përpara reformat në sundimin e ligjit, ekonominë, konkurrencën dhe arsimin”, tha Hoxha në intervistë me APA. Përveç kësaj, 2018 duhet të jetë viti i lirisë së lëvizjes për qytetarët kosovarë.

Kosova është një nga shtetet më të reja në botë dhe ajo feston 10 vjetorin e saj më 17 shkurt. Arritjet e saj më të mëdha deri më tani janë njohja e Kosovës nga 115 shtete dhe anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare si Banka Botërore apo Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN), potencoi ministrja për Integrime Evropiane.

Një hap i parë i rëndësishëm në procesin e integrimit evropian ishte Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (SAA) me BE-në, e cila u nënshkrua në tetor 2015. Sipas Hoxhës, për herë të parë u nënshkruan zyrtarisht marrëdhëniet midis BE-së dhe Kosovës. Tanimë, qëllimi i shpallur përmes bisedave me anëtaret e BE-së është që strategjia e zgjerimit të BE-së, që do të publikohet në shkurt 2018, duhet të përcaktojë hapat konkret për anëtarësimin e Kosovës në BE, që mund të jetë fillimi i negociatave si dhe një datë të mundshme e pranimit.

Në pesë shtetet anëtare të BE-së (Greqia, Spanja, Rumania, Sllovakia dhe Qiproja), të cilat ende nuk e kanë njohur Kosovën, nuk shohin asnjë pengesë pasi që Kosova mban marrëdhënie pragmatike me ta. “MSA ka qenë një hap në procesin e integrimit dhe është finalizuar gjithashtu me mbështetjen e pesëshes “jo-njohëse”. Ndërsa, aq sa ne bëjmë përparime, ne ju japim atyre argumente.”

Kosova gjithashtu ka marrëdhënie të mira me vendet fqinje. Ndërsa Serbia refuzon ta njohë pavarësinë e Kosovës, është e qartë që marrëveshja për dialog nuk mund të vazhdojë pafundësisht, tha ministrja Hoxha “Qëllimi i Kosovës është njohja e ndërsjellë e plotë dhe normalizimi i marrëdhënieve”. Për Serbinë, gjithashtu, kjo është një parakusht për anëtarësimin në BE. “Asnjëra prej shteteve nuk dëshiron të parandalojë hyrjen e njëri-tjetrit në BE”, tha Hoxha.

Ajo viziton çdo javë qytetin e saj të Mitrovicës në veri të Kosovës, e cila është e banuar kryesisht nga serbët dhe në të cilin qytet u vra në 16 janar, politikani serb i Kosovës Oliver Ivanoviq. Situata është përgjithësisht e qetë atje. “Qytetarët e veriut dëshirojnë trajtim të barabartë, dhe integrimi i zyrtarëve gjyqësorë serbë në sistemin gjyqësor do ta bëjë këtë të mundur”, tha ministrja. “Vitin e kaluar gjyqtarët, prokurorët dhe shërbyesit civil serbë dhe kosovarë kanë punuar për herë të parë sipas ligjeve të Kosovës “, tha Hoxha. Ky është rezultat i dialogut. Ajo nuk sheh një ndikim negativ të Serbisë ndaj popullatës serbe në këtë rajon. Siguria ishte një interes i përbashkët dhe këtë mund të garantojë policia kosovare. Shtrirja e sundimit të ligjit në këtë pjesë të Kosovës është pra një sukses i madh.

Vrasja e Ivanoviqit dëshmoi qartë se sa i nevojshëm është anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare si Europol dhe Interpol për të përmirësuar shkëmbimin e informacioneve. “Kosova është duke bashkëpunuar në hetim me autoritetet e sigurisë të vendeve të tjera, por ju do të merrni rezultate më të shpejta në qoftë se bashkëpunimi bëhet nëpërmjet EULEX-it apo institucioneve tjera”, tha ministrja.

Hoxha është optimiste se së shpejti do të ketë një pajtim për vijën kufitare me Malin e Zi, një kusht tjetër për pranimin në BE. Ratifikimi i Marrëveshjes së vitit 2015 deri më tani dështoi vetëm për shkak të partive të atëhershme opozitare Vetëvendosje, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës dhe kjo kishte të bënte me një problem thjesht vendor.

“Kemi marrëdhënie të shkëlqyera me Malin e Zi, ishte një ndër vendet e para që njohu Kosovën”, deklaroi ministrja. Së shpejti, Parlamenti do të vendosë për marrëveshjen kufitare. “Shpresoj që votimi të jetë pozitiv, kështu që kosovarët nuk do të janë qytetarët e vetëm të izoluar në Evropë”, tha Hoxha. Aktualisht, kosovarët janë të vetmit evropianë që duhet pajisur me vizë për të hyrë në BE.

Që kjo të shfuqizohet, është në interesin e përbashkët të të gjitha palëve. “Për shkak të diasporës sonë të madhe në BE, është e rëndësishme që kosovarët të përfitojnë nga parimi i lëvizjes së lirë”, tha Hoxha. “Ne gjithashtu kemi një popullsi të re dhe dëshirojmë që ata të udhëtojnë dhe të fitojnë përvoja ashtu si bashkëmoshatarët e tyre evropianë”. 2018 duhet të jetë viti i lirisë së lëvizjes.

Si ministre, prioriteti i saj është të shtyjë vendin drejt procesit të integrimit në BE. Deri në fund të vitit 2018, përmbushja e detyrimeve për kandidaturën, është qëllimi i saj i qartë, me qëllim që Kosova deri në vitin 2020  të marrë statusin e vendit  kandidat. Ky ishte një projekt ambicioz, por edhe vendet  tjera të Ballkanit Perëndimor, arritën ta bënin këtë një vit pas nënshkrimit të MSA-së.

Sipas Ministres, në Kosovë, ka pasur një rënie të numrit të papunësisë dhe emigracionit në vitet e fundit për shkak të ndërhyrjes së shtetit. Forcimi i kontrolleve kufitare dhe doganore dhe ngritja e fushatave ndërgjegjësuese i ka dhënë fund emigrimit. Kosova tani ka një normë më të ulët të emigrimit në BE se sa vendet tjera të Ballkanit Perëndimor si Serbia dhe Bosnja, vuri në dukje ajo. Ajo gjithashtu shpreson edhe  në Ministrinë e re të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, e cila synon të promovojë fillimin e punës për të rinjtë. “Vetëm një muaj më parë, është bërë një nga investimet më të mëdha deri tani, ndërtimi i termocentralit të ri të Kosovës”, deklaroi Hoxha. Kjo do ta bëj Kosovën prodhuesin kryesor të energjisë elektrike në rajon. Ka gjithashtu potencial për bujqësinë: shumë produkte janë rritur organikisht dhe tashmë mund të eksportohen në BE.

Kosova dëshiron të tregojë qartë angazhimin e saj ndaj BE-së dhe të paraqesë progresin e saj, tha Ministrja. Kongresi com.sult, i cili zhvillohet këtë javë në Vjenë, ofron një mundësi të mirë për këtë, sepse shumë vendimmarrës nga politika, biznesi dhe teknologjia janë mbledhur atje, përfundoi Hoxha.