11:30 / E Enjte, 28 Qershor 2018 / indeksADMonline

Hoxha: Rekomandimi për viza çështje ditësh

Kosova pritej që sot të marrë një përgjigje pozitive për vizat. Pritej saktësisht që Komisioni Evropian të publikojë raportin për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Por një gjë e tillë duket se nuk do të ndodhë. Është pikërisht Ministrja për Integrime Evropiane, Dhurata Hoxha e cila ka lënë të kuptohet se sot nuk do të ketë rekomandim.

“Rekomandimi është çështje ditësh dhe do të jetë para pushimeve të verës. Rekomandimi do të jetë pozitiv dhe qëllimi im i vizitës në Belgjikë ishte që të punojë intensivisht për këtë çështje, për t’i inkurajuar  institucionet e BE-së të mos ketë vonesa”, ka thënë Hoxha në një konferencë për media, raporton Indeksonline.

Gjithashtu Hoxha ka thënë se gjatë vizitës së saj në Belgjikë ka njoftuar institucionet përkatëse të BE-së se migracioni ka rënë dukshëm dhe qytetarët e Kosovës nuk do e keqpërdorin liberalizimin e vizave, prandaj edhe ka kërkuar mbështetjen e këtij shteti për liberalizim.

“Sigurova eurodeputetët që Kosova do të vazhdojë me luftimin e korrupsionit. Rruga jonë drejt BE-së do të vazhdojë edhe pas liberalizimit prandaj edhe ne do të vazhdojmë me reforma. Kosova ka përmbushur kriteret dhe qytetarët tanë meritojnë lëvizjen e lirë. Kemi marrë mbështetje nga eurodeputetët se do të votojnë pro dhe do e përkrahin procesin e liberalizimit. I sigurojmë qytetarët se institucionet e Kosovës do të jenë në lëvizje intensive për të arritur liberalizimin”, ka thënë Hoxha.

Ndryshe raporti në fjalë pritet të dëshmojë nëse vendi ka plotësuar kriterin e fundit për liberalizimin e vizave, saktësisht luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit./Indeksonline/