23:07 / E Martë, 18 Dhjetor 2018 / indeksADMonline

Hoxhaj: Letra e Trump, dëshmi e mbështetjes së fuqishme për Kosovën

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se letra e presidentit amerikan, Donald Trump drejtuar presidentit të Kosovës Hashim Thaçi flet për mbështetjen e madhe të ShBA-së për Kosovën.

Hoxhaj tha se përfshirja e SHBA-së në Ballkan është kyçe për paqen dhe sigurinë në Ballkan.

“Kosova është mirënjohëse për miqësinë dhe partneritetin e SHBA-së”, ka shkruar Hoxhaj në Twitter.

Ndryshe, në një letër dërguar presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, presidenti amerikan Donald Trump, ka kërkuar nga liderët në Kosovë që të shfrytëzojnë këtë moment të cilin ai e ka quajtur unik, të flasin me një zë dhe të arrijnë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me Serbinë.

Në këtë drejtim, ndër tjerash Trump, i ka shkruar presidentit Thaçi se SHBA-të janë të gatshme që të ndihmojnë në përpjekjet për të arritur një marrëveshje, e cila reflekton në mënyrë të balancuar interesat e Kosovës dhe të Serbisë.