15:08 / E Mërkurë, 02 Qershor 2021 / OSH

Hoxhaj: Presidentja të dekretoj anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ, zgjedhjet lokale të përgatiten mirë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka takuar sot presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në këtë takim, të thirrur për dakordimin e datës së zgjedhjeve lokale, kryetari Hoxhaj ka paraqitur qëndrimin e PDK-së në lidhje me këtë proces.

Kryetari Hoxhaj ka kërkuar nga presidentja e vendit që para se të shpallë datën e zgjedhjeve, të angazhohet maksimalisht në kompletimin e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ).

“Mosveprimi i presidentes mund të rrezikoj apo dëmtoj procesin zgjedhor. Andaj, ne kërkuam nga presidentja që të miratoj të drejtën tonë kushtetuese si parti që të kemi dy anëtarë të KQZ.”, ka thënë kryetari Hoxhaj.

Sa i përket datës, kryetari Hoxhaj ka thënë se presidentja duhet të caktojë një datë që i jep kohë të mjaftueshme KQZ-së për përgatitjen profesionale të këtij procesi.

“Partia Demokratike e Kosovës kërkon nga presidentja që të caktoj një datë për zgjedhjet lokale e cila i jep kohë të mjaftueshme KQZ-së dhe mekanizmave tjerë të përgatisin një proces zgjedhor sa më të mirë.”, ka thënë kryetari Hoxhaj.

Në fund, kryetari Hoxhaj ka thënë se Partia Demokratike është duke i bërë përgatitjet e saj maksimale për këto zgjedhje. PDK deri më tani ka prezantuar tri kandidatura për kryetar të komunave në Prizren, Shtime dhe Fushë Kosovë.