14:32 / E Mërkurë, 01 Shkurt 2023 / LB

KDI: Qeveria përmes koeficientit cenon pavarësinë e gjyqësorit

Instituti Demokratik i Kosovës ka reaguar pas miratimit të koeficientit për pagat në sektorin publik.

KDI vlerëson se kjo vlerë e koeficientit prej 105 euro nuk përshtatet me pritshmëritë dhe kërkesat e punëtoreve të sektorit publik.

Sipas tij, kjo vlerë e zhvlerëson pozitën e gjyqtarit dhe prokurorit, duke iu ulur pagat për rreth 25%.

“Kështu një Gjyqtar i Gjykatës Themelore do të paguhet 1200 euro nderkohë që paga e tij/saj bazë ishte 1600 euro në muaj”, thuhet në deklaratën e KDI-së, e cila thotë se ulja e pagave aktuale e sektorit publik është antikushtetues.

“Ulja e pagave aktuale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, që nga Qeveria po arsyetohet si arritje e “barazisë” së pagave në sektorin publik është kundër kushtetuese dhe në kundërshtim me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, rasti nr. KO 219/19. Ulja e pagave është me kundërshtim edhe me Ligjin për Gjykatat, i cili qartazi përcaktohen se pagat e gjyqtarëve nuk mund të zvogëlohen gjatë mandatit për të cilin ata janë emëruar, përveç në rastet kur vendosen sanksione disiplinore nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës”, deklarohet në komunikatën për media të KDI-së.

Meqenëse, Kosova këtë vit ka miratuar buxhetin më të madh ndonjëherë, në vlerën prej rreth 3,2 miliardë euro, ulja e pagave në sistemin e drejtësisë “cenon parimin e ndarjes të pushteteve dhe është ndërhyrje direkte në pavarësinë e pushtetit gjyqësor”.