17:17 / E Mërkurë, 09 Nëntor 2022 / LB

Mehaj: Ngritja e kapaciteteve ushtarake serbe përgjatë kufirit me Kosovën tregon tendencat e një shteti armiqësor

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se situata aktuale politike në vend, rajon dhe më gjërë ishin tema të diskutimit gjatë takimit të mbajtur sot me këshilluesit e NALT dhe Atashetë e Mbrojtjes.

“Sigurisht theks të veçantë kishte çështja e sigurisë pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit, të cilat vijnë si rezultat i dezinformatave të vazhdueshme të Beogradit zyrtar, luftës hibride me qëllim destabilizimin e vendit, dhe përdorimit të metodave të ndryshme të kërcënimit të pjesëtarëve të komunitetit serb për largim nga institucionet e Republikës së Kosovës”, ka shkruar ndër të tjera Mehaj.

Postimi i plotë i Mehajt:

Në KOORDINIM TË VAZHDUESHËM ME KËSHILLTARËT BILATERAL TË SHTETEVE PARTNERE DHE ATASHETË E MBROJTJES

Situata aktuale politike në vend, rajon dhe më gjerë ishin tema të diskutimi gjatë takimit të mbajtur sot me këshilluesit e NALT dhe Atashetë e Mbrojtjes.

Sigurisht theks të veçantë kishte çështja e sigurisë pas zhvillimeve të fundit në veri të vendit, të cilat vijnë si rezultat i dezinformatave të vazhdueshme të Beogradit zyrtar, luftës hibride me qëllim destabilizimin e vendit, dhe përdorimit të metodave të ndryshme të kërcënimit të pjesëtarëve të komunitetit serb për largim nga institucionet e Republikës së Kosovës.

Ngritja e kapaciteteve ushtarake të Serbisë përgjatë kufirit me Republikën e Kosovës shpërfaq tendencat e një shteti armiqësor, që përveçse nuk dënon, pëkrah e përdor metodat e  agresorit rus, gjë që bie ndesh me normat dhe vlerat demokratike të cilat Republika e Kosovës si shtet evropian përqafon dhe mbron.

Veprimet e shtetit serb duhet dënuar nga çdo shtet evropian dhe më gjerë!

Republika e Kosovës është jashtëzakonisht mirënjohëse për kontributin e shteteve aleate dhe misionin e KFOR-it, që si gjithnjë edhe në situatën aktuale janë duke treguar gatishmëri të jashtëzakonshme për të bashkëpunuar me Policinë e Republikës së Kosovës në ruajtjen e qetësisë, sigurisë dhe stabilitetit në veri të vendit.

Qeveria e Republikës së Kosovës do të vazhdoj të garantoj integritetin territorial, mbrojtjen e jetës së qytetarëve, dhe ofrimin e shërbimeve të institucioneve për të gjithë qytetarët pa dallim etnie.