10:30 / E Enjte, 18 Gusht 2022 / LB

Pacientët me kancer në hall të madh, në QKUK mungon medikamenti esencial për trajtimin e kësaj sëmundje

Për më shumë se një muaj pacientët me kancer të cilët trajtohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës po përballen me mungesë të medikamentit “Avastin Bevacizumab”.

Familjarë të pacientëve të prekur me kancer, kanë rrëfyer për Indeksonline se janë mbi 100 pacientë të cilët marrin trajtim në Klinikën e Onkologjisë e të cilët po ballafaqohen me këtë mungesë.

Sipas tyre, “Avastin Bevacizumab”, është medikamenti i domosdoshëm për trajtimin e sëmundjes.

“Është për të ardhur keq se në çfarë situate janë pacientët. Në mungesë të këtij medikamenti, në jemi detyruar të bëjmë zgjidhje përmes barnatoreve private, të cilat e shfrytëzojnë rastin dhe kërkojnë çmime mbi 2 mijë euro për të porositur një medikament të tillë”, ka treguar njëri nga familjaret e të prekurve me kancer.

Nuk është hera e parë që pacientët të cilët marrin trajtim në QKUK përballen me mungesë të barnave esenciale për trajtimin e sëmundjeve të tyre. /Indeksonline/