11:55 / E Enjte, 25 Prill 2019 / indeksADMonline

HULUMTIM: Ndodhë në Kosovë, kompania me çmim më të lartë fiton tenderin e rrugës Mushtisht-Shtërpcë

Jeton SOPA/ IndeksOnline

Në dhjetor të vitit 2017, Komuna e Suharekës kishte hapur tender për ndërtimin e rrugës Mushtisht-Vërbeshticë-Shtërpcë. Për këtë projekt ishin interesuar shtatë operator ekonomik, mirëpo konzorciumi “NBT-ING & ÇLIRIMI”, me 29 janar 2018 ishte shpallur fitues i projektit në vlerë prej 661,222 euro, pasi kishte plotësuar të gjitha kushtet dhe ishte operatori më i lirë, kriter bazë ky për dhënien e tenderit.Kjo rrugë do të lidhë Komunën e Suharekës me atë të Shtërpcës, por fillimisht është tenderuar hapja e trasesë së rrugës prej 9 km nga fshati Mushtisht në drejtim të fshatit Vërbeshticë të Komunës së Shtërpcës.

Hije dyshimi për manipulime nga ana e OShP-së dhe Komunës së Suharekës. Tenderi tri herë kthehet në rivlerësim!

Tenderi për këtë rrugë nuk u ndal me kaq, ai është kthyer tre herë në rivlerësim për parregullsi dhe në fund ka përfunduar te kompania e tretë, 250 mijë euro më shtrenjtë se sa ishte dhënë në fillim.

Kur dukej se gjithçka po shkonte në rregull dhe punimet shpejt do të nisnin, papritur vjen një vendim nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) i cili e kthen në rivlerësim këtë tender pas ankesës së kompanisë “I.SEFERI”. OSHP-ja si arsyetim të vetëm në vendimin e saj nr.62/18 të datës 15.03.2018 kishte dhënë se kompania fituese “NBT-ING & ÇLIRIMI” nuk e kishte të përkthyer diplomën e gjeodetit nga gjuha kroate në njërën nga tri gjuhët e kërkuara me rregullore nga ana e OSHP-së (Shqip, Serbisht ose Anglisht) Vlen të theksohet se ky gjeodet ishte i licencuar pranë institucioneve të Kosovës dhe kishte licencë pune në Kosovë. Por në dosjen e tenderit kompania fituese ka pasur dy diploma të gjeodetëve njëra ishte ajo e Universitetit të Prishtinës, por ajo nuk ishte marrë për bazë si nga ana e OSHP-së poashtu edhe nga ana e autoritetit kontraktues.

Autoriteti Kontraktues K.K.Suharekë pas kësaj kishte shpallur fitues kompaninë “I.SEFERI” në vlerë prej 884 mijë euro, pra rreth 220 mijë euro më shtrenjtë se operatori që e kishte fituar për herë të parë. Konzorciumi “NBT-ING & ÇLIRIMI” ishte ankuar në OSHP pasi që kishte vërejtur falsifikim dokumentesh në dosjen e kompanisë “I.SEFERI” dhe OSHP-ja në vendimin e saj nr.149/18 të datës 18 maj 2018 kishte aprovuar ankesën si të bazuar dhe lëndën e kishte kthyer përsëri në rivlerësim në autoritetin kontraktues.

A.K.Suharekë me datë 25 maj 2018 kishte shpallur operatorin e tretë me të lirë kompaninë ndërtuese “FAMIS” në vlerë prej 911 mijë euro, pra 250 mijë euro më shumë se konzorciomi “NBT-ING & ÇLIRIMI” që e kishte fituar në fillim në shumën prej 661 mijë euro.

Komuna e Suharekës gjatë rivlerësimit nuk e kishte marrë fare për bazë diplomën e Universitetit të Prishtinës, të gjeodetit të kompanisë “NBT-ING & ÇLIRIMI”, e cila kishte 207 ECTS (kredi).

Në dokumentet e siguruara nga Indeksonline të dosjes së tenderit të kompanisë fituese “FAMIS” figurojnë dy diploma të inxhinierëve nga Maqedonia të dy këto diploma janë vetëm të përkthyera në gjuhën shqipe. Por ato nuk janë të nostrifikuara në institucionet e Kosovës dhe të dy këta inxhinierë nuk kanë licencë pune në Kosovë dhe për më tepër diploma e gjeodetit maqedonas ka 180 ECTS në krahasim me atë të gjeodetit “NBT-ING & ÇLIRIMI” e cila ka 207 ECTS!

Diploma e ingjinerit maqedon e cila është vetëm e përkthyer por e pa nostrifikuar dhe pa licencë pune nga institucionet e Kosovës

Në dosjen e tenderëve futen dokumente pas mbylljes së ofertave, OSHP mbyllë sytë!

Duke i parë këto shkelje konzorciumi “NBT-ING & ÇLIRIMI” sërish ishte ankuar në OSHP. Gjykata e tenderëve ka mbajtur një seancë me datë 16 korrik 2018. Sipas burimeve të Indeksonline gjatë mbajtjes së seancës, vet anëtari i panelit shqyrtues të prokurimit kishte konstatuar se diploma e gjeodetit të kompanisë “FAMIS” ishte noterizuar tek noteri në Kosovë me datë 22.06.2018, pra shtatë muaj pas afatit kur ishin mbyllur ofertat dhe ishte shpallur fituesi për herën e parë. Me pranimin e një dokumenti i cili daton më vonë sesa data e dorëzimit të tenderit është shkelur rëndë ligji për prokurim publik, neni72 pika 3.
Me gjithë këto shkelje, OSHP kishte mbyllur sytë dhe e kishte aprovuar vetëm pjesërisht ankesën e operatorit “NBT-ING & ÇLIRIMI”, dhe kishte aprovuar dhënjen e kontratës kompanisë “FAMIS” në vlerë prej 911 mijë euro pra nuk e kishte dërguar lëndën në rivlerësim.

Vendimi i Organit Shqyrtues të Prokurimit

Kompania “NBT-ING & ÇLIRIMI” tashmë e ka paditur OSHP në Gjykatën Themelore në Prishtinë për këto shkelje dhe lënda është ende në proces.
Indeksonline ka shkuar në vendin e ngjarjes ku kompania fituese ka nisur punimet e kësaj rruge por nga ajo që shihet është se punimet janë ndërpreë qe një kohë dhe makineritë e kompanisë “FAMIS”nuk dukeshin në teren.

Rruga që do të lidhë Komunën e Suharekës me atë të Shtërpcës

Indeksonline u ka dërguar pyetje dy institucioneve të përfshira në dhënien e këtij tenderi, Komunës së Suharekës dhe Organit Shqyrtues të Prokurimit, por as pas pesë ditësh nuk kanë kthyer përgjigje./Indeksonline/