16:32 / E Enjte, 20 Tetor 2022 / B O

Humbën jetën 99 fëmijë, Indonezia ndalon përdorimin e çdo medikamenti me shurup

Vdekja e rreth 100 fëmijëve në Indonezi bëri që ky shtet të ndalojë shitjen e të gjitha llojeve të shurupit dhe medikamenteve të lëngshme. Kjo vjen disa javë pasi një shurup për kollën në Republikën e Gambias shkaktoi vdekjen e rreth 70 fëmijëve.

Autoritetet mjekësore në Indonezi thonë se në disa shurupe janë gjetur përbërës që shkaktojnë probleme akute të veshkave. Nuk është e qartë nëse këto mjekime janë importuar apo prodhim vendas.

Në Indonezi, deri më tani, janë raportuar rreth 200 raste me dëmtime akute të veshkave te fëmijët, shumica prej të cilëve kanë një moshë nën 5 vjeç.

Më herët këtë muaj, Organizata Botërore e Shëndetësisë lëshoi një paralajmërim global për shurupet e kollës, pas vdekjes së 70 fëmijëve në Gambia.

OBSH-ja në një hetim fillestar, zbuloi tri shurupe të prodhuara nga një kompani indiane që përmbanin sasi të papranueshme të Glikolit Dietilen dhe Glikolit Etilen.