17:27 / E Mërkurë, 15 Shtator 2021 / C E

Humbja ndaj Bayernit ekspozon realitetin e ri të Barcelonës

Barcelona duhet të përgatitet për disa kohë të vështira përpara, ndërsa po përshtatet me epokën pa Lionel Messin. Ky mesazh ishte i qartë pas humbjes 3:0 në shtëpi nga Bayern Munich në Ligën e Kampionëve të martën, disfata e parë e skuadrës që kur Messi u largua mes vështirësive financiare të klubit.

“Është ajo që është, ne jemi ata që jemi tani”, pranoi kapiteni Barcelonës, Gerard Pique. “Është dhe do të jetë një sezon i komplikuar”.

Duke mos u dukur aspak si skuadra që lulëzonte kur Messi ishte në fushë, Barcelona nuk arriti të dërgonte asnjë goditje në kornizën e portës gjatë gjithë ndeshjes dhe në anën tjetër, Bayerni kërcënonte vazhdimisht.

“Ne do të donim të kishim luajtur më mirë, por kjo është ajo që kemi tani”, tha trajneri i Barcelonës, Ronald Koeman. “Nuk mund të ankohem për qëndrimin tonë, ne u përpoqëm të japim më të mirën. Por, ka një ndryshim në talent dhe një ndryshim midis një ekipi që ka luajtur një kohë të gjatë së bashku dhe ekipit tonë me shumë lojtarë të rinj. Është e vështirë të pranohet, por ne duhet të vazhdojmë të punojmë”.

Humbja erdhi më shumë se një vit pas debaklit të turpshëm 8:2 kundër Bayernit në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve dy sezone më parë, një disfatë që filloi të ekspozonte mundimet e Barcelonës brenda dhe jashtë fushës.

“Barça e varfër”, ishte titulli në faqen e parë të së përditshmes sportive “Marca” të mërkurën.

Ndërkohë, gazeta tjetër, “Sport” shkroi “Realiteti i trishtuar”.

Koeman, i cili u punësua menjëherë pas ndeshjes kundër Bayernit para dy vjetësh, tha se do të duhet kohë që Barcelona të kthehet në një nivel të lartë.

“Lojtarët tanë të rinj kanë shumë potencial, në dy ose tre vjet ata do të luajnë shumë më mirë”, tha Koeman. “Por, tani për tani, është ajo që është”.

Koemani, gjithashtu, humbi Antoine Griezmannin muajin e kaluar që iu bashkua Atletico Madridit, ndërsa sulmuesi kryesor i ekipit aktualisht është holandezi Memphis Depay. Klubi shtoi, gjithashtu, edhe veteranin Sergio Aguero, por ai është në mesin e disa lojtarëve që po rikuperohen nga lëndimet, së bashku me të rinjtë Ousmane Dembele, Sergino Dest dhe Ansu Fati. Koemani përdori 18-vjeçarin Yusuf Demir dhe 17-vjeçarin Gavi të martën. Pedri Gonzalez, gjithashtu 18 vjeç, ishte titullar.

“Unë shikoj faktin pozitiv që ne kishim disa lojtarë 18-vjeçarë në ndeshje ndaj Bayernit. Ky është realiteti i ynë tani”, insistoi Pique.

Barcelona do të duhet të mbështetet shumë tek të rinjtë e saj ndërsa po përpiqet të shërohet nga kushtet e vështira financiare të shkaktuara nga pandemia dhe menaxhimi i dobët. Klubi katalanas nuk ishte në gjendje t’i jepte Messit një kontratë të re dhe e pa atë të largohej falas te Paris Saint-Germaini, një nga pretendentët kryesorë për trofeun e Ligës së Kampionëve këtë sezon. Kishte shenja se tifozët e Barcelonës nuk ishin shumë optimistë kur nuk arritën të blinin të gjitha biletat në dispozicion për ndeshjen e së martës, diçka që rrallë ndodhte kur Messi ishte akoma aty, veçanërisht në një ndeshje të madhe të Ligës së Kampionëve. Pique tha se ishte “e dhimbshme” të dëgjoheshin talljet nga turma në “Camp Nou” për Sergi Roberton, i cili u dallua për performancën e tij të dobët, ndërsa luante si lojtar i improvizuar në krahun e djathtë. Pique tha se javët e ardhshme do të jenë kyçe për Barcelonën, ekip që ka triumfuar pesë herë në garën kryesore të Evropës.

“Ne duhet të fitojmë ndeshjet tona të radhës në Ligën e Kampionëve dhe të qëndrojmë në mesin e liderëve në ligën spanjolle”, insistoi ai. “Tani për tani ne nuk konsiderohemi favorit, por do të shohim se çfarë do të ndodhë në fund të sezonit. Chelsea, gjithashtu, nuk ishte favorit për të fituar Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar, por në fund e fitoi”.