15:19 / E Hënë, 12 Korrik 2021 / AR

Hundë të bllokuara? A funksionon vërtet trendi me hudhër në TikTok

Nëse në ndonjë nga këto ditët keni patur bllokim të sinuseve të hundës (zgavër brenda një kocke ose indi, veçanërisht te kockat e fytyrës ose kafkës që lidhen me kavitetet e hundës) dhe keni ndeshur një trend në TikTok që pretendon se vendosja e hudhrës do t’i zhbllokojë hundët e bllokuara, ndoshta mund të jeni tunduar.

Duke grumbulluar miliona klikime, video të shumta në TikTok u bënë virale. Njerëzit vendosnin thelpinj hudhre te vrimat e hundës dhe pas 20-30 minutash, kishin rrjedhje të mukusit. Lind pyetja: A e largon hudhra mukusin (lëng i rrëshqitshëm i prodhuar nga membranat që mbështjellin hundën)?

“Kur jeni të bllokuar, keni shumë mukus në hundë. Njerëzit vënë re se mezi marrin frymë ose ndjejnë siklet nga mukusi në pjesën e prapme të fytit ose në pjesën e përparme të hundës. Vetë hudhra nuk ndihmon në zhbllokimin e hundëve. Duke bllokuar aftësinë e sinuseve për t’u tharë, përmes vendosjes së hudhrës, ju thjesht po krijoni një rezervë të mukusit. Sapo të hiqet pengesa, në këtë rast thelpinjtë e hudhrës, ai do të dalë.” – tha për Health Katie Phillips, profesoreshë e asociuar e otolaringologjisë në Kolegjin e Mjekësisë në University of Cincinnati.

Vendosja e hudhrës në hundë ka rreziqe: Mund të ngecë dhe të dëmtojë zgavrën e hundës, të paraqesë rrezik mbytjeje nëse kalon në fyt ose në rrugët e frymëmarrjes dhe/ose të shkaktojë acarime të mukozave në hundë.

Kështu, qëndroni larg këtij trendi.