18:53 / E Shtunë, 01 Shtator 2018 / indeksADMonline

Hungaria përkrah çdo zgjidhje që arrijnë Kosova dhe Serbia

Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, në vazhdën e takimeve bilaterale gjatë punimeve të Forumit të Dubrovnikut ka takuar Ministrin e Punëve të Jashtme të Hungarisë, Peter Szijarto, të cilin e ka falënderuar për përkrahjen e deritanishme për Kosovën dhe ka kërkuar vazhdimin e përkrahjes për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL, procesin e liberalizimit të vizave, si dhe në rrugën e mëtutjeshme të Kosovës drejt integrimeve evropiane.

Ministri hungarez ka siguruar kryediplomatin kosovar Pacolli se Kosova do të vazhdojë ta ketë përkrahjen e Hungarisë aty ku Kosova ka nevojë.

Gjatë këtij takimi, ministri hungarez u interesua edhe për rrjedhën e dialogut në mes Kosovës dhe Serbisë dhe kërkoi që zgjidhja që do të arrihet të jetë stabilizuese për rajonin dhe se Hungaria do të përkrahë zgjidhjen që arrihet në mes të dy palëve negociuese.