19:17 / E Martë, 12 Prill 2022 / OSH

Hykolli: Të gjithë të punësuarit në Kosovë duhet t’i marrin nga 100 euro shtesë derisa të bëhet Ligji i Pagave

Ndarja e 100 eurove shtesë nga Qeveria e Kosovës për të punësuarit e sektorit privat dhe atij publik është vlerësuar si hap pozitiv nga ana e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës.

Por, sipas kreut të BSPK-së, Atdhe Hykolli, kjo nuk i plotëson nevojat e punëtorëve.

Hykolli, në emisionin Info Magazine në Klan Kosova, tha se shtesën prej 100 eurosh duhet ta marrin të gjithë të punësuarit në Kosovë deri sa të miratohet Ligji i Pagave.

“Ne kërkesat tona ia kemi parashtruar partnerit tonë social që deri sa të bëhet Ligji i Pagave, të gjithë të punësuarit e Kosovës t’i marrin si shtesë 100 euro”.

Ai theksoi se në rast se nuk plotësohen kërkesat e parashtruara nga ata te qeveria, nuk do të përjashtohet edhe mundësia e protestave.

“Ne do të ulemi së shpejti me federatat sindikale, do të bisedojmë dhe do të vendosim për hapat e mëtutjeshëm”.