23:52 / E Hënë, 26 Shkurt 2018 / indeksADMonline

I akuzuari për terrorizëm: Asnjëherë nuk kam qenë në Siri

I akuzuari për terrorizëm, Leonis Frangu, tha se nuk ka shkuar asnjëherë në Siri për të luftuar përkrah formacioneve ushtarake të huaja.

Frangu, në mbrojtjen e tij të dhënë në gjykatore, deklaroi se në Hatay, qytet ky në kufi me Sirinë, ka shkuar për t’u interesuar për studime.

Në pyetjen e anëtarit të trupit gjykues, Shashivar Hoti, se sa gjuhë të huaja i flet, i akuzuari tha se flet gjuhen arabe dhe atë angleze, por në përqindje të vogël.

Më pas e pyeti se në çfarë gjuhe zhvillohen studimet në qytetin e Hatayt, i njëjti u përgjigj “në gjuhën turke”.

Si rrjedhojë, gjykatësi Hoti e pyeti se si është e mundur që të kërkosh të studiosh në një universitet ku studimi zhvillohet në gjuhën turke.

“Unë shkova t’i shikojë mundësitë për të aplikuar”, u përgjigj i akuzuari Frangu.

Më tej, ai gjatë mbrojtjes së tij deklaroi se për në Turqi është nisur me 1.000 euro, për të udhëtuar në vende të ndryshme e për t’u interesuar për të studiuar në të ardhmen.

Por, siç thotë ai, gjatë këtij udhëtimit, atij i humbën edhe dokumentet e identifikimit.

Gjatë një kontrolli rutinor të Policisë së Turqisë, sipas tij, për shkak se i kishte humbur dokumentet e udhëtimit, të njëjtit e dërguan në mbajtje dhe e lajmëruan në konsullatën e Kosovës në Turqi, për ta kthyer në Kosovë.

Pas mbrojtjes së tij, sipas procedurës, u dha fjala përfundimtare, ku prokurori kërkoi që Gjykata t’ua japë besimin e plotë deklaratave të dy dëshmitarëve, atij të mbrojtur dhe Besim Sylës, derisa avokatja Drevinja kërkoi që Frangu të lirohet nga akuzat në mungesë të provave.

Blerim Syla duhej të dëshmonte në seancën e sotme, por as Policia e Kosovës nuk ka arritur që të verifikojë vendndodhjen e tij.

Si rrjedhojë, prokurori Faik Halili dhe avokatja e Frangut, Florije Drevinja, kërkuan që deklarata e dëshmitarit Syla të konstatohet si e lexuar, meqenëse u dëshmua se prezenca e tij është e paarritshme.

Ndërkaq, në seancën e kaluar, dëshmitari i mbrojtur ka deklaruar se Leonis Frangu ka luftuar kundër kurdëve e Assadit, në qytetin e Azazit në Siri.

Madje, ky dëshmitar deklaroi se Frangun e ka njohur përmes nofkës “Ubejd”.

Por, Frangu në seancën e sotme deklaroi se nofka “Ubejd” do të thotë “Rob i Zotit” dhe se deklarata e tij nuk duhet të merret parasysh, pasi që sipas tij nuk është e mundur të më ketë takuar në Siri, por ka pasur mundësi që ta ketë ditur emrin e tij sa ka qenë në Kosovë.

E për këto dy deklarata të këtyre dëshmitarëve, prokurori Halili tha se ngjasojnë shumë në mes vete.

Në fund të seancës, fjalën përfundimtare e dha edhe vet i akuzuari Frangu, i cili kërkoi nga trupi gjykues që të lirohet nga akuzat për terrorizëm, duke kundërshtuar pjesëmarrjen në grupet terroriste dhe se ka qenë ndonjëherë në Siri.

Ai madje theksoi se ka fituar bursë ne Emiratet e Bashkuara të Emirateve dhe se nuk dëshiron që kjo bursë t’i humbë, pasi që është i interesuar që të vazhdojë me studime.

Në seancën e radhës do të bëhet shpallja e aktgjykimit.

Prokuroria Speciale ngarkon Frangun për pjesëmarrje dhe organizim në grupe terroriste.

Sipas aktakuzës, pas marrëveshjes paraprake me Blerim Sylën më 3 nëntor të vitit 2014 përmes Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës kanë fluturuar në aeroportin e Stambollit në Turqi ku nga Stambolli janë shkuar së pari në Hatay dhe nga atje në qytetin po ashtu të Turqisë afër me kufirin me Sirinë ku i janë bashkangjitur organizatës terroriste ISIS.