08:21 / E Mërkurë, 22 Nëntor 2017 / indeksADMonline

‘I besuam Mlladiqit kur tha se do të ishim të sigurt’

Kur udhëheqësi ushtarak i serbëve të Bosnjës, Ratko Mlladiq, i cili sot do të përballet me aktgjykimin, u takua me boshnjakët e frikësuar pasi forcat e tij morën Srebrenicën në vitin 1995, ai u tha atyre se nuk do të dëmtohen, por pastaj filluan masakrat.

“Ju nuk do të vrisni më fëmijë serbë në Podrinje të Serbisë. Ne do t’ju vrasim të gjithëve”, supozohet t’u ketë thënë ish-komandanti i ushtrisë serbe të Bosnjës, Ratko Mlladiq një grupi të plagosurish boshnjakë në Srebrenicë më 13 korrik 1995.

Sadik Selimoviq, njeriu që kujtoi ato që ai pretendonte se ishin fjalët e Mlladiqit atë ditë, ishte një prej tyre.

Selimoviq arriti të mbijetojë por shumë të tjerë nuk ia dolën. Ai mendon se fjalët e Mlladiqit, i cili është duke pritur vendimin e shkallës së parë në Tribunalin e Hagës më 22 nëntor, u konkretizuan vërtetë.

“Ai na ka vrarë të gjithë ne”, tha Selimoviq.

Haska Veliq gjithashtu u takua me Mlladiqin gjatë atyre ditëve, në kompleksin e paqeruajtësve të Kombeve të Bashkuara në Potoçari afër Srebrenicës, së bashku me shumë boshnjakë të tjerë që u larguan nga qyteti duke kërkuar siguri pasi u kapën nga forcat serbe të Bosnjës më 11 korrik 1995.

“Le të shkojmë në gjueti për turqit!”

Mlladiqi mbërriti dhe premtoi se nuk do të kishte ndonjë dëm për askënd.

“Njerëzit tanë u mblodhën rreth tij. Vendi ishte aq i mbushur me njerëz, nuk mund t’i afroheshe më pranë. Ne menduam se askush nuk do t’i dëmtonte këta njerëz, sepse ata nuk ishin fajtorë për ndonjë gjë”, kujton Veliq.

“Mlladiq po thoshte: ‘Ju nuk do të humbisni asnjë fije floku nga koka juaj.’ Unë e besoja këtë. Unë nuk mund të di se njerëzit mund të gënjejnë kaq shumë.”

Në ditët që pasuan, rreth 8,000 burra dhe djem boshnjakë u masakruan nga forcat serbe të Bosnjës në mizorinë më të keqe që nga Lufta e Dytë Botërore, një krim i klasifikuar si gjenocid nga gjykatat ndërkombëtare dhe boshnjake.

Derisa priste në Srebrenicë më 13 korrik, së bashku me rreth 20 njerëz të tjerë të plagosur, për t’u lejuar të shkonin në territorin e kontrolluar nga Ushtria Boshnjake për t’iu nënshtruar trajtimit mjekësor, Selimoviq dëgjoi zhurmën e kamionëve, autobusëve duke thirrur: “Le të shkojmë në gjueti për turqit!”

 

Papritur, kishte heshtje.

“U hap një derë e ambulancës dhe pashë Mlladiqin. Ai pyeti se nga ishim ne. Unë i thashë se isha nga Bratunac dhe ai më pyeti se çfarë po bëja në Srebrenicë. Unë i thashë se kisha ikur nga vrasja në Bratunac”, kujton Selimoviq.

“Ai pyeti: ‘Ku është (Shefi i Mbrojtjes Territoriale Boshnjake në Srebrenicë), Naser Oriq? Pse ai ka ikur? Pse nuk më ka pritur mua? Një luftëtar i madh, por ai ende ikën. Kurrë mos harro, do ta gjejmë’”.

Oriq, një komandant i njohur boshnjak, ishte në Tuzlla. Ai kishte marrë pjesë në mbrojtjen e Srebrenicës deri më 29 maj 1995, kur u lirua nga komanda e tij.

Oriq më vonë u lirua nga Tribunali i Hagës në vitin 2008 për kryerjen e krimeve në luftën e Srebrenicës dhe gjithashtu u lirua muajin e kaluar nga gjykata e shtetit boshnjak për vrasjen e tre të burgosurve serbë të luftës.

“Nuk besoja se do të mbijetoja”

Selimoviq tha se kur e vuri re Mlladiqin, ndjeu një kombinim frike dhe dhimbjeje të shkaktuar nga plaga e tij.

“Unë nuk besoja se do të mbijetoja”, tha ai.

Selimoviq dhe burrat e tjerë të plagosur qëndronin në Qendrën Shëndetësore në Bratunac për disa kohë para se të transferoheshin në kampin e paraburgimit në Batkovici. Babai i tij, tre vëllezër, djali i vetëm i vëllait të tij, vjehrri i tij dhe dy vëllezër, si dhe të afërm të panumërt, u vranë në masakra.

Abdulkadiri, djali i Haska Veliqit ishte punonjës mjekësor në Srebrenicë gjatë luftës. Ai i ndihmoi të plagosurit para dhe pas rënies së qytetit te forcat serbe, pasi nuk donte t’i linte ata prapa.

Nëna e tij e pa atë për herë të fundit në kompleksin e OKB-së në Potoçari.

Shumë vite më vonë, ajo gjeti se ai ishte vrarë në Tisa së bashku me dhjetëra të burgosur të tjerë që ushtarët serbë të Bosnjës i kishin mbajtur në paraburgim në një ndërtesë shkollore përpara se t’i ekzekutonin.

Një numër prej 38 ish-anëtarësh të ushtrisë dhe policisë serbe të Bosnjës janë dënuar me më shumë se 600 vjet burgim, plus tre dënime me burgim të përjetshëm, për kryerjen e gjenocidit dhe krimeve të tjera në Srebrenicë.

Disa oficerë nga Shtabi Kryesor i Ushtrisë Serbe të Bosnjës, të cilët ishin nën urdhërat e Mlladiqit, gjithashtu janë dënuar.

Lubisha Beara, shefi i sigurimit, u dënua me burgim të përjetshëm, sikurse Zdravko Tolimir, asistent për çështjet e inteligjencës dhe sigurisë; Radivoje Miletiq, shefi i çështjeve operacionale dhe edukative, u dënua me 18 vjet, dhe Milan Gvero, asistent për moralin dhe çështjet fetare, u dënua me pesë vjet.

Avokati mbrojtës i Mlladiqit ka insistuar që provat tregojnë se ish shefi ushtarak serb i Bosnjës nuk kishte dijeni për krimet e kryera kundër njerëzimit dhe vrasjet e jo-serbëve në Bosnje dhe Hercegovinë.

“Nuk mund t’i mohojmë krimet, por ne kërkojmë dhe presim të vërtetën, ky është çelësi”, tha avokati Miodrag Stojanoviq për BIRN.

Por në aktgjykimet e Tribunalit të Hagës lidhur me masakrat e Srebrenicës, Mlladiq ishte emërtuar si figura qendrore.

“Në bazë të provave është e qartë se një operacion i tillë masiv nuk mund të ishte ndërmarrë pa miratimin dhe urdhrin nga komandanti Mlladiq. Duke pasur parasysh rolin e tij, si dhe veprimet dhe deklaratat e tij nga ajo periudhë, duke përfshirë pjesëmarrjen e tij të drejtpërdrejtë në fazat kryesore të atij operacioni, çdo përfundim tjetër është i paimagjinueshëm”, thuhej në vendimin e gjyqit të Bearas.

“Vula e lënë përmes kërcënimeve, fjalimeve dhe urdhrave të tij mund të ndiqet përmes të gjitha momenteve kyçe të kësaj ndërmarrjeje të vrasjeve” shtoi ajo. “Dhoma e gjykimit ka konstatuar se Mlladiqi ishte forca lëvizëse qendrore e planit të vrasjes”.

Gjykata e OKB-së do të shpallë aktgjykimin e saj të parë mbi akuzat kundër Mlladiqit të mërkurën, aktgjykimi mund të apelohet.