14:24 / E Mërkurë, 30 Maj 2018 / indeksADMonline

I dyshuari për krime lufte, po ruhet 24 orë nga Policia e Kosovës (Foto)

I dyshuari për krime lufte në Klinë gjatë kohës së luftës, Milorad Zajic po ruhet 24 orë nga Policia e Kosovës.

Burime të Indeksonline mësojnë se shtëpia e tij e cila gjendet afër stacionit të trenëve në Kline është nën përkujdesje të Policisë së Kosovës.

Zajic ishte arrestuar në muajin mars pasi kishte shkuar në Stacionin e Policisë në Klinë për të raportuar një vjedhje.

Pas arrestimit në Klinë, Zajic ishte bartur në Prishtinë nën dyshimet për kryerje të krimeve të luftës ndaj shqiptarëve në vitet 1998/99.

Banorë të Klinës akuzojnë Zajicin për sjellje kriminale ndaj shqiptarëve, sidomos në vitin e fundit të luftës në Kosovë.

N.M ka thënë për Indeksonline se Milorad Zajic ishte tmerri i shqiptarëve në Klinë në gjatë viteve 1998/99.

“S’ka lanë gjë të zeza pa bërë. Ishte anti-shqiptar i madh, një kriminel modern” ka thënë një banor i Klinës për Indeksonline.

Zajic ishte kthyer së fundi në Kosovë ndërsa për arrestimin e tij kishte reaguar edhe shefi i zyrës për komunitetet në komunën e Klinës, Ranko Kostiq.

Prokuroria në Pejë ka thënë se shpejt pritet të merret vendimi i radhës për Milorad Zajic./Indeksonline/