19:40 / E Enjte, 29 Nëntor 2018 / indeksADMonline

I ftohtë i madh në Prishtinë, kaq do të jenë temperaturat për nesër

Në ditët e fundit të nëntorit dukshëm kanë rënë temperaturat.

Në Kosovë nesër do të mbretërojë mot i ftohtë me temperaturat që do të bien deri në minus tetë gradë Celsius, bën të ditur IHMK-ja përmes një komunikate për media.

“Vendi ynë do të vazhdojë të mbetet nën ndikimin e masave anticiklonike dhe bllokuese mbi gjithë territorin e vendit. Si pasojë e reshjeve të dëborës dhe kthjellimeve në vazhdim, do të krijohen kushte për mot kryesisht të kthjellët dhe të ftohtë, nuk parashikohen reshje të asnjë forme”, thuhet në komunikatë.

Temperaturat do të ulen edhe më shumë gjatë natës, duke regjistruar vlerat deri -8 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës do të arrijnë rreth 1 gradë Celsius.

“Kjo gjendje anticiklonike do të ndikojë që të kemi pasivitet në lëvizjen e masave të ajrit, kështu që cilësia e ajrit nuk do të jetë në vlerat e shëndetshme. Do të fryjë erë e lehtë nga drejtimi i verilindjes”, thuhet në komunikatë.

Aktualisht, sonte po mbizotërojnë temperatura të ulta, shkruan Indeksonline.

Në Prishtinë momentalisht është -3 gradë Celsius.

Kujtojmë faktin se edhe në orët e hershme të mëngjesit kishte reshje bore, derisa të njëjta vazhdon të ketë në vise malore. /Indeksonline/