23:24 / E Premte, 12 Nëntor 2021 / MSH

I kërkuar nga drejtësia, biznesmeni shqiptar lajmërohet në media: Kam lidhje me Joe Biden!

Biznesmeni Rezart Taçi i cili është shpallur në kërkim nga SPAK, në një lidhje telefonike për “Radarin Informativ” në ABC, ka hedhur poshtë akuzat e bashkëpunimit me një grup të strukturuar kriminal dhe për pastrim parash.

Ai ka shpjeguar versionin e tij duke thënë se është kontaktuar nga një mik i tij se një ekonomist dëshironte të hapte një llogari në Tiranë. Sipas Taçit, ai e ka udhëzuar që të ndjek rrugët ligjore dhe kështu ka ndodhur, ku paratë janë transferuar nga një bankë në zviceriane në një bankë në Shqipëri. Taçi pranon se ka kontaktuar kunatin dhe body gardin e tij për të shoqëruar personin që hapi llogarinë bankare në Tiranë dhe kreu transaksionin. Sipas tij dy të afërmit e tij kanë kryer vetëm rolin e shoqëruesit, shkruan ABC.

Taçi mes të tjerash ka treguar se në vitin 2012-2013 kur sipas tij nisi një persekutim, ai kishte kontaktuar motrën e Presidentit aktual të SHBA, Valerie Biden për të kërkuar që të ndalnin sulmet ndaj bizneseve të tij. Ai ka deklaruar se momentalisht ka kontakte dhe bashkëpunim me familjen Biden, dhe me familjet e dy ish-presidentëve të SHBA.

“Kam kontaktuar dhe u kam thënë bëni shoqëruesin. Shoferin e zotërinjve që po e hapnin llogarinë. Se dhe ata nuk kanë pushtete për të hapur llogari dhe po ta kishin bërë nuk janë certifikues se çfarë parash kanë ata të pastra apo të pista. Është persekutim se nuk kam deklaruar për të mbajtur familjen e presidentin e SHBA jashtë kësaj situate. Në 2012-2013, kam kontaktuar motrën, me zv.presidentit Biden që sot është president dhe kam kërkuar ndihëm që të ndërhyjë. Edhe Valeri Biden është e organizatës kriminale? Se edhe ajo i bie të jetë. Ajo ka ardhur në Shqipëri dhe është takuar me Sali Berishën në atë kohë kryeministër i ka kërkuar të mos persekutohem unë. Bashkëpunojë me SHBA. Jam në kontakt me familjen Biden, me dy ish-presidentë. Nëse Biden dhe familja e tij nuk di me kë bashkëpunon nuk di çfarë të them. Nëse nuk ka dokumente për të certifikuar nuk e di ca të them. Nëse Tony Blair nuk e di me kë bashkëpunon nuk di çfarë të them. Shumë kryeministra të vendeve të ndryshme. Nëse unë penalizohem se jam sipërmarrës me vlera. Kam pasur 3400 bashkëpunëtor.” Tha Taçi.

Flitet për një hetim ku bashkëpunon pala shqiptare me atë italiane? Ka një përgjim”?

“Është injicuar nga prokuroria shqiptare. Prokuroria Palermos ka 30 vjet që heton zotin Zumo. Dhe ky individ i tillë nga hapja e llogarisë ka hapur proces dhe për të kuptuar se pse e hap llogarinë. Por roli im cili është. Kush është ndihma ime institucionale. Por nuk i njoh. Nuk kam bashkëpunuar.

Kunati juaj dhe body gardi juaj e kanë ditur se për kë do të hapej llogaria me 19 milionë euro?

“Nuk është detyra e tyre. Janë shoferë nuk kanë formimin për të ditur. Janë drejtues të një mjeti si shoqërues dhe familjarë të mi. Thjeshte si shoqërues. Dhe nuk e certifikojë dot parat e pastra apo të pista. Nuk kanë pozita. Zotria hapi llogarinë dhe bëri transfertë ligjore nga një bankë zviceriane me një korrospodent gjerman. Ka marrë parat e tij nga llogaria e tij.”

Pse do e hapte llogarinë në Shqipëri? Të ka thënë miku juaj?

“Sepse do të ikte nga Italia dhe të jetonte në Shqipëri. Ka pasur lek të lira në Zvicër dhe në mënyrë ligjore i ka sjellë këtu. Është transfertë ligjore dhe nuk kanë bërë asgjë të paligjshme në Shqipëri, unë s’jam avokat i tyre. Po ku e dija unë dhe po ta dija se janë të pista pse nisen nga sistemi bankar” tha Taçi.

Kujtojmë se Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë sot ka shpallur në kërkim biznesmenin e njohur të hidrokarbureve Rezart Taçi.

Dy bashkëpunëtorë të tij Artur Balla dhe Bledar Lilo janë arrestuar në orët e para të ditës së sotme, ndërsa biznesmeni ende nuk është gjetur nga policia. Së bashku me katër italianë, biznesmeni shqiptar dhe dy bashkëpunëtorët e tij akuzohen për pastrim parash dhe grup të strukturuar kriminal. SPAK ka bllokuar mbi 18 milionë euro pasuri.

Si funksiononte skema?

SPAK deklaron se nga hetimet e nisura këtë vit në bashkëpunim me autoritetet italiane kanë zbuluar organizimin dhe funksionimin e një operacioni kompleks financiar ndërkombëtar të kundërligjshëm, të shtrirë në disa shtete të ndryshme, që ka pasur si qëllim “pastrimin” e një shume monetare të konsiderueshme që përbën produkt të veprimtarisë kriminale.

Skema financiare është drejtuar nga dy italianët Francesco Zummo dhe I.Z., në bashkëpunim me një tjetër italian Fabio Petruzzella të zviceranit me origjinë italiane Daniele Castagalli si dhe të biznesmenit shqiptar Rezart Taçi i përfshirë në biznese në sektorin e naftës. SPAK thotë se Taçi në funksion të kryerjes së kësaj veprimtarie ka angazhuar dy bashkëpunëtorët e tij shqiptarë, Artur Balla dhe Bledar Lilo.

Po cili ishte qëllimi?

Pjesë e kësaj skeme financiare, me ndihmën e shqiptarëve të përfshirë, ka qenë edhe kryerja e disa veprimeve dhe transaksioneve bankare në një bankë të nivelit të dytë në Shqipëri, veprime të cilat janë realizuar vetëm pjesërisht sipas SPAK-ut dhe nuk është arritur që të realizohen plotësisht.

Po sipas SPAK-ut gjatë hetimeve janë mbledhur prova se ndihma në këtë rast për transferimin dhe fshehjen e shumës monetare është bërë kundrejt premtimit për marrjen e përqindjes së caktuar të përfitimit monetar, në raport me shumën monetare që është transferuar në Shqipëri dhe që do të vijonte të transferohej në vende të tjera.