11:14 / E Hënë, 17 Shkurt 2020

I kishte shpëtuar rrëzimit të aeroplanit, vdes legjenda e Manchester United

Ish-portieri i Manchester United, Harry Gregg ka vdekur në moshën 87 vjeçare në një spital në Coleriane.

Gregg i shpëtoi tragjedisë së Munihut në vitin 1958 ku humbën jetën shumica e futbollistëve të Manchesterit.

Ai u bë portieri më i shtrenjtë në botë kur ai iu bashkua Manchester Unitedit në dhjetor të vitit 1957 për 23.500 funte, dhe u votua si më i miri në Kupën e Botës vitin pasues.

Ai i bëri 25 paraqitje për Kombëtaren e Irlandës Veriore nga viti 1954 deri më 1963.

“Harry ndërroi jetë paqësisht në spital, i rrethuar nga familja e tij e dashur”, thuhet në njoftimin e familjes së tij. /IndeksOnline/