15:03 / E Mërkurë, 02 Maj 2018 / indeksADMonline

I ndërpritet paraburgimi biznesmenit që dyshohet se importoi mish të prishur

Gjykata Themelore ne Prizren ia ka ndërprerë masën e paraburgimit Anton Jupës, i cili ishte arrestuar në lidhje aferën e mishit të importuar nga Belgjika, muajin e kaluar.

Ndaj Jupës është caktuar masa e arrestit shtëpiak, ka thënë sot për portalin “Kallxo.com” zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prizren, Afërdita Kicaj.

Në kërkesën për paraburgim, Prokuroria në Prizren tha se ekziston dyshimi i bazuar që Jupa ka importuar nga Belgjika mish gjedhi me afat të skaduar në sasinë 19,657 kilogramë të cilin, sipas prokurorisë ka tentuar ta shesë në terminalin doganor në Prizren më 12 shtator 2017, edhe pse e ka ditur se është i dëmshëm për njerëzit.

Në mars të këtij viti shpërtheu skandali i mishit në Belgjikë. Gazeta Online Insajderi kishte zbuluar emrin e kompanisë kosovare që kishte importuar mish nga kompania e dyshimtë belge “Veviba”.

Bëhej fjalë për kompaninë nga Rahoveci “Euro Ida”, e cila, sipas dokumenteve që Insajderi kishte siguruar nga Dogana e Kosovës, kishte importuar mish nga kompania belge “Veviba” në muajt maj dhe qershor të vitit 2016.

Për këtë raportim, Jupa e kishte kërcënuar ekipin e Insajderit.

Për artikullin e publikuar nga Insajderi, të titulluar: “Zbulohet emri i kompanisë kosovare që importoi mishin nga Belgjika”, kishte reaguar më 19 mars drejtori i kompanisë “Euro Ida”, Anton Jupa. Ai kishte telefonuar në redaksinë e Gazetës Online Insajderi dhe kishte kërcënuar me vrasje ekipin e Insajderit.

“Problemet serioze janë shumë! Shumë serioze! A me ditë qaj personi që u kon i pari, pasha natën e babës që ka dekë e ai ka bo vetëvrasje, (nuk kuptohet) s’ka me e myt, vetëm ka me e copëtu me sakicë, ka me coptu edhe me masakru. Maje në mend qa po thom unë”, kishte thënë Jupa, në një telefonatë në redaksinë e gazetës.

Drejtori i kompanisë “Euro Ida” ka pranuar se kishte importuar mish nga kompania belge në vitin 2016, ashtu siç kishte raportuar Insajderi në artikullin e publikuar më 14 mars.

Insajderi kishte siguruar një dokument nga burime brenda Doganës së Kosovës, të cilat dëshmonin se kompania “Euro Ida” kishte importuar mish nga kompania e dyshimtë belge “Veviba”, në muajt maj dhe qershor të vitit 2016.