15:04 / E Martë, 23 Tetor 2018 / indeksADMonline

I pari i FFK-së, Ademi priti presidentin e FF të Maqedonisë, Muhamet Sejdini

Në një atmosferë të ngrohtë miqësie, presidenti i FFK-së Agim Ademi në shoqëri të anëtarit të KE, Xhelal Broja dhe sekretarit të përgjithshëm, Eroll Salihu, e priti presidentin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, Muhamet Sejdini.

Duke i dëshiruar mirëseardhje presidenti Ademi e njohu homologun Sejdini për zhvillimet e gjithëmbarshme  në futbollin e Kosovës, për zhvillimin e kampionatit që po rrjedh mirë e në suaza të ‘fair play’-t me një konkurrencë të jashtëzakonshme.

Për mbështetjen që po u bëhet klubeve, për përmirësimin e infrastrukturës dhe ndërtimin e fushave me bari sintetikë, që ngadalë  edhe kjo pikë neuralgjike e futbollit të Kosovës po zbutet ngadalë, transmeton IndeksOnline.

Presidenti Ademi e njohu edhe për ecurinë e Kombëtareve të Kosovës në veçanti për Kombëtaren A që po merrë pjesë në garat kualifikuese për Ligën e Kombeve.

Bashkëpunimi ndërmjet dy federatave është me interes të dyanshëm ka theksuar presidenti Ademi.  Nga ana e tij presidenti i FF të Maqedonisë, Muhamet Sejdini, duke e falënderuar zAdemi për mikpritje, po ashtu e njohu atë me të arriturat në futbollin e Maqedonisë duke thënë se jemi të interesuar që të  thellojnë bashkëpunimin dhe se këmbimi i përvojave do ta ndihmonte shumë zhvillimin e futbollit në të dyja vendet.

Të dy presidentet u pajtuan që të forcojnë e thellojnë bashkëpunimin edhe më shumë në të ardhmen në interes të futbollit./IndeksOnline/