15:12 / E Hënë, 22 Prill 2024 / A. M.

I zhdukur prej 6 vitesh, miliarderi gjerman mund të jetë duke jetuar me të dashurën ruse në Moskë

Miliarderi gjerman Karl-Erivan Haub, i cili u zhduk në rrethana misterioze në afërsi të malit Matterhorn në Zvicër gjashtë vjet më parë, mund të jetë duke jetuar me të dashurën e tij ruse në Moskë, duke ngritur dyshime se ai ka inskenuar vdekjen e tij.

Haub, një manjat gjermano-amerikan i shitjes me pakicë, u zhduk në prill 2018 në Zermatt të Zvicrës, ndërsa përgatitej për një garë alpinizmi. Biznesmeni u pa për herë të fundit duke hipur në mal në një ashensor skish i vetëm, diçka që trajneri i tij e konsideroi të çuditshme për një njeri që zakonisht ishte shumë i kujdesshëm për sigurinë. Pasi u ngjit, ai nuk u kthye më në hotelin e tij.

Hetimet e reja zbulojnë se Haub ka bërë 13 telefonata në telefonin e një gruaje misterioze ruse, Veronika Ermilova, në tri ditët para zhdukjes së tij. Ermilova, e cila dyshohet se është e lidhur me shërbimin e sigurisë FSB të Rusisë, drejton një agjenci eventesh në Shën Pjetërburg dhe i pëlqejnë aktivitetet në natyrë si ecja, ngjitja e maleve dhe skitë.

Spekulimet për marrëdhëniet e mundshme të Haub me biznesmenë rusë si Andrey Suzdaltsev dhe Sergey Grishin, kanë ngritur dyshimet se zhdukja e tij mund të lidhet me punët e pista në Rusi.

Detajet e sakta se si Haub ka realizuar zhdukjen e tij të supozuar, mbeten të panjohura. Disa besojnë se skijimi nëpër Alpe dhe zbritja në Itali mund të ketë qenë rruga e tij, por nuk ka asnjë gjurmë të vendndodhjes së tij që kur u nis për ski në prill të vitit 2018.