20:29 / E Diele, 04 Dhjetor 2022 / GF

I zhgënjyer nga Perëndimi, Malcolm: Pa strategji të koordinuar për Kosovën

Për pak muaj, 18 shkurtin e 2023-shit, Kosova shënon 15 vjet nga shpallja e Pavarësisë. Serbia, jo vetëm nuk e ka njohur ende si shtet, por përtej disa marrëveshjeve të firmosura e pak të zbatuara, e gjithë përpjekja e saj është përqendruar se si të mos ketë një marrëveshje finale, si të zhbëjë njohjet e Kosovës dhe se si të pengojë anëtarësimin e saj në organizmat ndërkombëtarë.

Sir Noel Malcolm, një prej studiuesve më të zëshëm të historisë së Ballkanit, autor i librit ‘’Kosova një histori e shkurtër” e sheh në faj Perëndimin për këtë situatë ku ndodhet sot Kosova.

“Ajo që do thosha është se që nga 1998-a trajtimi i Kosovës nga palë të jashtme, ka qenë kryesisht zhgënjyes. Sigurisht ka pasur dukshëm momente të mira: çlirimi i Kosovës nga forcat e NATO-s, mbështetja finale për shpalljen e Pavarësisë në2008-ën, diçka ekstremist e rëndësishme asokohe. Por në aspekte të tjera ishte zhgënjyese që Perëndimi asnjëherë nuk qe i koordinuar në një strategji për Kosovën.”

Me shpalljen e pavarësisë, Malcolm shënon një mungesë edhe në sjelljen e vendeve të rajonit tonë. “Një shembull i vogël, por që nuk është dhe aq i vogël. Duhej që të gjitha vendet e rajonit të dilnin në një deklaratë të përbashkët, ku të thuhej: ne e mirëpresim këtë zhvillim dhe ky është një hap i vërtetë dhe jo kërcënim për stabilitetin në rajon përkundrazi e shkuara ishte e tillë. Kjo deklaratë e përbashkët e vendeve të rajonit do të kishte pasur ndikim të madh në opinionin botëror. Ata nuk e bënë këtë dhe lanë palë të tjera si Rusia që ta konsideronin çështjen e Kosovës si një manipulim të vendeve të Perëndimit për interesat e tyre”.

Historia që nga miratimi i planit Ahtisari dhe deri sot, tregon sipas zotit Malcolm se Serbia asnjëherë nuk është vënë në presion të barabartë me Kosovën, kur flitet për arritje dhe zbatim marrëveshjesh.

“Planin Ahtisari vendosën që ta zbatojnë në mënyrë selektive. Ai plan kishte një aneks në të cilin thuhej se dosjet me çështje të trashëgimisë kulturore në arkivat e Beogradit do duhej të ktheheshin në Prishtinë. A kanë bërë ata ndonjëherë një përpjekje që kjo të ndodhë? Aspak. Ajo thjesht ka rënë ose përfshirë në çështjet ku të dy vendet duhet të arrijnë kompromis. Por në fakt kur thonë që të dy palët duhet të arrijnë kompromis, përshtypja ime është që ushtrojnë dyfish presion mbi Kosovën se sa mbi Serbinë. Në kuadër të planit Ahtisari Kosova ka bërë shumë lëshime sa u përket të drejtave të serbëve që jetojnë në territorin e saj dhe ndaj Prishtinës vazhdojnë të kërkojnë lëshime, duke e lejuar Beogradin që të bëjë dhe më shumë kërkesa”.

Por nëse i japim të drejtë shprehjes që çdo e keqe e ka një të mirë, Malcolm shpreson që ky të jetë rasti i mësimeve nga lufta në Ukrainë.

“Nëse ka një ngushëllim… një ngushëllim të vogël nga lufta e tmerrshme në Ukrainë, është që Perëndimi të jetë zgjuar; të jetë në alert tashmë ndaj strategjisë ruse në Ballkan. Shpresoj në rikthimin e vëmendjes së amerikanëve në Kosovë, një vëmendje e larguar pas 2008-ës. Po shpresoj që vendet perëndimore të jenë më të përqendruara në rajon”. Sir Noel Malcolm është gazetar, historian, akademik filozof dhe analist politik në Angli. Si gazetar spikati në pasqyrimin e me realizëm të situatës në ish-Jugosllavi, aty ku ndodhën dhe konfliktet e përgjakshme në Bosnjë dhe Kosovë. “Kosova – një historie shkurtër” është libri që The Neë Yourk Times e quajti si udhëzuesin më të mirë për hapat që duhen marrë ndaj një katastrofë fatale. Përveç këtij libri dhe tre agjentëve perandorakë, Malcolm ka shkruar edhe studimin mbi historinë e shqiptarëve, rebelët, besimtarët, të mbijetuarit./a2/