15:41 / E Martë, 27 Shtator 2022 / k.v

Ibadete Bytyçi, doktoresha shembull në Klinikën e Kardiologjisë në QKUK

Kur e zgjodhi mjekësinë, Ibadete Bytyçi nga Arllati i Drenasit, kishte në mendje vetëm një gjë: pasi t’i përfundojë studimet themelore, të marrë specializimin e zemrës, Kardiologjinë.

Nga një rrugë e gjatë dhe e mundimshme, plot sfida e sakrifica, të cilën e zgjodhi vetë për të përmbushur ëndrrat e saj, doktoresha Bytyçi doli me sukses dhe e kreu në kohë shkollimin specialistik në Mjekësi Interne dhe në Kardiologji të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës.

Dhe këtu nuk përfundon gjithçka.                                                                           

Plot motiv e zell, në afat rekord  i mbaroi edhe studimet e doktoratës për “Rolin e funksionit të Atruimit të majtë” në praktikën klinike, në “Universitetin Umea”, në Suedi.

 “Çdo rruge ka sfida, por mendimi im ka qenë që, ajo që të sfidon dhe të bënë të mendosh dhe analizosh më shumë, të bënë edhe më të fortë”, thotë Ibadete Bytyçi.

Në fushën e shkencës, dr. Ibadete Bytyçi arriti një sukses të jashtëzakonshëm, duke publikuar 50 punime shkencore dhe mbi 100 prezantime shkencore, përfshirë eventet më të rëndësishme botërore në fushën e Kardiologjisë si: Kolegji Amerikan i Kardiologjisë në Uashington, Floridë dhe në Çikago, përgjatë viteve 2017-2020, dhe Shoqata Europiane e Kardiologjisë në Londër, Mynhen, Paris, Lisbonë, Romë dhe Amsterdam.

Dr. Ibadete Bytyçi është edhe bashkëpunëtore në 4 libra, në 3 Udhërrëfyes Europianë dhe në 1 udhërrëfye, përkthyer dhe përshtatur për Kardiologjinë e Kosovës.

Ajo, po ashtu, është anëtare në grupe të ndryshme punuese shkencore të Shoqatës Europiane të Kardiologjisë si:

“Patofiziologjia Koronare dhe Mikroqarkullimi”, “Funksioni Miokardial”, “Elektrofiziologjia Kardiake”, “Ateroskleroza dhe Biologjia Vaskulare”, “Farmakoterapia Kardiologjike”, “Qarkullimi Pulmonar dhe funksioni te Ventrikuli i Djathtë” dhe “Sëmundja e Miokardit dhe Perikardit”.

Në vitin 2021 mori çmimin “Abstrakti i ditës” nga Shoqata e Kardiologëve Europian, ndërsa në vitin 2022, Dr. Bytyçi mori çmimin “Abstrakti ditor dhe lajm i ditës” nga Shoqata Amerikane e Zemrës. Ajo u zgjodh “Shkencëtare  e Vitit” nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit në Kosovë në vitin 2021, kurse për tri vjet rresht (2019-2020-2021) mori çmimin “Folloë of European Society of Cardiology” për arritjet shkencore nga Shoqata Europiane e Kardiologjisë, mes shumë çmimeve të tjera.

Bytyçi është, gjithashtu, kryetare e grupit punues për “Imazheri Kardiake” në Shoqatën e Kardiologëve të Kosovës dhe anëtare e grupit te eksperteve të lipideve në Europë  “International Lipid Expert Panel”

Dr. Ibadete Bytyçi ka një mesazh për gjeneratat e reja.

“Gjatë rrugëtimit tuaj, mund të hasni në shumë gurë, por i vetmi gurë që vështirë kalohet është ai që ju vendosni në mendjen tuaj”, thotë Bytyçi.

Ibadete Bytyçi aktualisht është e angazhuar në Klinikën e Kardiologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.