13:08 / E Hënë, 25 Dhjetor 2017 / indeksADMonline

IKD: Me zhbërjen e Speciales vjen dëm i madh për Kosovën

Instituti i Kosovës për Drejtësi ka reaguar ndaj iniciativës së fundit të disa deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe ndaj mbështetjes së kësaj iniciative nga përfaqësues të lartë të shtetit dhe nga parti të caktuara politike lidhur me plotësim ndryshimin e Ligjit mbi Dhomat e Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

IKD vlerëson se iniciativa për zhbërjen e Gjykatës Speciale cenon rëndë detyrimet ndërkombëtare të Kosovës, bie ndesh me vlerat dhe parimet ndërkombëtare lidhur me sundimin e ligjit për të cilat është zotuar Kosova dhe konteston rënd subjektivitetin juridiko-ndërkombëtar të Shtetit të Kosovës.

“Ky hap, po u realizua, përfundimisht tregon se Kosova ka mungesë të pasjes së zotësisë për të hyrë në marrëdhënie kontraktuale me shtete dhe organizata ndërkombëtare si pasojë e moszbatimit  të të njëjtave marrëveshje ndërkombëtare për të cilat është zotuar se do t’i zbatoi në mënyrë solemne dhe me shkrim”.

“Ky hap, po u realizua, paraqet edhe cenim të rënd të zakonit ndërkombëtar, diçka që Kosova nuk guxon dhe nuk duhet t’ia lejojë vetes nëse merret parasysh statusi i pakonsoliduar i shtetësisë së Kosovës”.

“Madje, një qasje e tillë e Kosovës në raport më bashkësinë ndërkombëtare, bie në kundërshtim me parimin bazë të përgjegjësisë së shtetit në të drejtën ndërkombëtare, e cila përcakton qartë se çdo shtet që shkel një obligim ndërkombëtar duhet të mbahet përgjegjës për veprimet e tij deliktore: është përgjegjësi e shtetit që nuk respekton obligimet ndërkombëtare që menjëherë të ndaloj veprimet e tilla ose, në të kundërtën, të përballet me pasoja. Këto pasoja në rastin e Kosovës do të ishin të pariparueshme”.

IKD i bën thirrje Kuvendit të Kosovës, udhëheqësve të institucioneve shtetërore dhe liderëve politik, të vazhdojnë të përmbushin obligimet kushtetuese, ndërkombëtare dhe ligjore në raport me Gjykatën Speciale, dhe mos të ndërmarrin veprime të cilat dëmtojnë subjektivitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës.