17:55 / E Shtunë, 21 Korrik 2018 / indeksADMonline

Imami i BIK-ut të Kaçanikut arrestohet në Turqi

Imami  i  Bashkësisë Islame në Kaçanik, Florim Neziraj është arrestuar nga autoritetet turke në Turqi.

Lajmin për arrestimin e Nezirajt, e ka konfirmuar Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.

Në një përgjigje për Kallxo ai ka thënë se janë të njoftuar për arrestimin e tij, ndërsa nuk ka dhënë detaje se cila ishte arsyeja e arrestimit.

“Po rasti është i njohur për ne, qytetari i Kosovës Florim Neziraj nga Komuna e Kaçanikut. Florimi ka qenë në paraburgim për 4 ditë në Antali, pastaj është liruar dhe i’u kanë kthyer te gjitha dokumentet. Ne jemi në kontakt me zotri Nezirajn”, tha Pacolli.

Mediumi ka kontaktuar edhe me Ish-kryetarin e BIK-ut në Kaçanik, Florim Neziraj i cili ka mohuar të jetë arrestuar.

“Jam në Antali me vëllezërit në pushime. Nuk jam arrestuar, nuk është e vërtetë”, tha Neziraj.

Po ashtu, janë kërkuar shpjegime në lidhje me arrestimin e Nezirajt nga zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Zyrtarë nga Ministria e Punëve të Jashtme e kanë konfirmuar ndalimin e një shtetasi të Kosovës më 6 Korrik në Turqi, por nuk kanë dhënë detaje më të hollësishme në lidhje me rastin.

“Ne kemi informacione se me datën 6 Korrik është ndaluar një shtetas i Kosovës në Turqi. Do të veprohet në përputhje me përgjegjësitë dhe detyrimet Ligjore”, ka thënë një zyrtar nga MPJ.

Kryetari i Bashkësisë Islame në Kaçanik, Florim Neziraj ishte shkarkuar nga pozita pasi lejoi që në xhaminë kryesore të qytetit të lajmërohet vrasja e liderit kosovar të grupit terrorist ISIS, Lavdrim Muhaxheri.