20:51 / E Martë, 06 Nëntor 2018 / indeksADMonline

Verbani thotë se qindra xhami po anashkalohen nga BIK-u

Dr. Musli Verbani po kundërshton myftiun e Kosovës, Naim Tërnava, i cili u emërua në këtë pozitë për të katërtën herë.

Musliu ka thënë se derisa shoqatat e jetimëve janë në gjendje të ndërtojnë qindra shtëpi për nevojtarët, BIK-u nuk ka ndërtuar asnjëherë shtëpi afër xhamive, transmeton Indeksonline.

Sipas Musliut, BIK-u pa ndal kërkon nga të gjithë të jenë solidar gjatë Ramazanit, por për  vete vetëm tubon fitrat dhe fitimet e ndryshme.

Më poshtë reagimi i plotë i Musliut:

Imamët “jetim” të Kosovës

Kosova numëron përafërsisht 800 xhami, që do të thotë se nëse secila xhami e ka imamin, atëherë rezulton se janë 800 imamë (përpos imamëve tjerë).

Nga këto xhami shumë prej imamëve janë imam “jetim”, në xhami “jetime”.

Kujdestari i këtij imami “jetim” është njerku (BIK-u) i cili kërkon prej tij (imamit “jetim”) vetëm të tuboj fitrat dhe zekatin, vetëm të sjell kurbana, haxhilerë dhe nga fitimet e tyre të ulet në “kancelari”. Nga fitimet e nxjerra të mos bëhet shpërndarja e barabartë e fitimit, por fitimi të ndalet në “kancelari” dhe nga aty të del në TV dhe të thotë se “duhet të jeni solidar për muajin ramazan të ndajmë nga ajo që kemi për ata të cilët nuk kanë”.

Përderisa një shoqatë e jetimëve është në gjendje të ndërtoj dhjetëra apo qindra shtëpi për nevojtarët, njerku (BIK-u) i imamëve “jetim” nuk është në gjendje të ndërtoj shtëpi pranë xhamive “jetime” në mënyrë që ai imam të jetë i rregullt në namazet ditore të asaj xhamie.

Në ditën e xhuma para mesit të ditës gëzohet xhamia “jetime” sepse do të jetë e mbushur me xhemat për faljen e namazit të xhumasë, mirëpo ky gëzim nuk zgjat shumë sepse pas dite fillon të pikëllohet duke e ditur se deri në ditën e xhuma të javës tjetër nuk do të vjen imami “jetim”, nuk do të vizitohet nga xhemati, nuk do të falen namazet ditore në të, por vetëm namazi javor (namazi i xhumasë). Ajo do t’i qëndroj stuhive të borës dhe shiut, por nuk do t’i përballoj stuhive të anashkalimit nga imami “jetim” dhe nga kujdestari i atij imami “jetim” (BIK-u).

Si e konsideron kujdestari (BIK-u) këtë imam “jetim”? A e konsideron këtë imam “jetim” si pjesë të familjes, apo…? A nuk ka thënë Muhamedi a.s. “Ushqimi i dy vetave mjafton për tre dhe ushqimi i tre vetave mjafton për katër”. A nuk ka të bëjë ky hadith për shpërndarjen e fitimit të barabartë në mes të punëtorëve të një institucioni (në këtë rast të BIK-ut) pasi që të gjithë imamët janë një familje, brenda një ombrelle?!!