14:20 / E Martë, 24 Janar 2023 / S Z

Imeri: Nuk pranojmë koeficient nën 120 euro, ndryshe do të ketë pakënaqësi të mëdha

Federata Sindikale e Shëndetësisë, është e vendosur që mos të pranojë koeficient për pagën, nën 120 euro. Kryetarja e Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë Tevide Imeri, ka thënë për “IndeksOnline” se ende nuk kanë ndonjë informacion zyrtarë për vlerën e koeficientit dhe se janë në pritje për këtë. Ndërsa ka pohuar se nuk do të pranojnë koeficient, i cili do të ketë vlerën 120 euro edhe pse kërkesa e tyre është që koeficienti të jetë 132 euro.

“Ne e kemi një ftesë publike. Disa sindikata kemi kërkuar nga Qeveria, që koeficienti të jetë 132 euro, bazuar në vlerën e pagës  minimale, që është aprovuar në lexim të parë, që është  234 euro.  Konsideroj që nëse vlera e koeficientit është më e ulët, nuk ka kuptim. Kjo nuk sjellë kurrfarë përmirësimi në paga”, tha ajo.

E në rast se koeficienti do të jetë nën 120 euro, sipas saj do të ketë pakënaqësi të mëdha dhe se Këshilli Drejtues do të vendos se do të protestohet, të shkohet në grevë, apo  ta dërgojë Ligjin në Gjykatën Kushtetuese.  

” Nën 120 euro për ne është definitivisht i papranueshëm. Sepse nuk përbënë rritje të pagave.  Atëherë do të ketë pakënaqësi të mëdha, jo vetëm në shëndetësi por në sektorë tjetër. Po përcjellim me vëmendje. Po shohim sa do të dal vlera dhe pastaj urgjent do të mblidhet Këshilli Drejtues dhe do të vendos për grevë, protestë apo dërgim në Gjykatën Kushtetuese. Ne e kemi thënë në Këshillin Drejtues të cilin e kishim para dy dite, ka pasur pakënaqësi të jashtëzakonshme dhe se pohuan se nuk e pranojnë koeficientin nën 120. Kështu kanë deklaruar shumica e anëtarëve të këshillit drejtues”, tha ajo.

Ndërsa e quan absurde kalimin e Ligjit për paga, pa e ditur vlerën e koeficientit.

“Është absurditet me kalu Ligji i pagave dhe mos me u ditë vlera e koeficientit. Nuk është aspak në rregull kjo. Duhet të mendohet mirë, sepse ka hapur shumë dilema, caktimi i vlerës së koeficientit”, tha ajo./IndeksOnline/