14:56 / E Premte, 11 Maj 2018 / indeksADMonline

Inaugurohet fillimi i punimeve për zgjerimin e rrugës Lluzhan-Gllamnik

Në Gllamnik të Podujevës ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj me bashkëpunëtorë, inauguroi sot fillimin e punimeve të rrugës nacionale N 25, “Rrethrrotullimi Besi-Podujevë, segmenti Lluzhan-Gllamnik”.

Ai tha se sot po fillon një punë me rëndësi për Podujevën, për lidhjen e Prishtinës me Podujevën, përmes rrugës nacionale N 25, me gjatësi prej 4 kilometrash, me kosto të përafërt rreth 5 milionë euro, ndërsa punët do të kryhen për 200 ditë.

“Për mua si ministër dhe bashkëpunëtorët e mi, ky është një projekt i veçantë. Ne nuk do të ndalemi, do të vazhdojmë me projekte të tilla. Sot e kemi filluar këtu në Podujevë, javën e ardhshme do ta fillojmë për Mitrovicë dhe mund të them që jam mjaftë i lumtur që ne po implementojmë me përpikëri të gjitha ato projekte që kanë fjetur për vite të tëra. Vetëm ky projekt kur ka filluar dhe asgjë nuk është bërë, prandaj unë jam i vendosur që çdo projekt ta fillojmë me kohë, por edhe ta implementojmë me përpikëri. Podujeva dhe qytetarët e gëzofshin këtë projekt dhe kërkoj nga kompania që të jetë e kujdesshme dhe të implementohet sipas kontratës i tërë projekti”,  tha Lekaj.

Ai theksoi se brenda këtij viti do të vazhdojnë edhe me llotet tjera, sapo të përfundojnë procedurat që duhen ndjekur.

Ndërkaq nënkryetari i komunës së Podujevës, Nexhmi Rudari tha se ky projekt është i rëndësishëm për qytetarët dhe vendin, sidomos për ata që jetojnë në Evropë, sepse kjo është arteria kryesore që e lidhë Kosovën me botën e jashtme.