11:04 / E Premte, 10 Korrik 2020 / indeksADMonline

Infermierja amerikane filmoi luftën me coronavirusin, që e vrau pas 24 ditësh

Një infermiere nga New Jersey e cila humbi jetën nga coronavirusi, i kishte kaluar tri javët e fundit të jetës duke filmuar betejën për jetë në një video rrëqethëse.

Në video shihet se si nga rritja e temperaturës i tërë trupi i saj pushtohet nga një plogështi e paparë, më pas mbetet pa oksigjen, duke përfunduar në spital.

“Përshëndetje të gjithëve, kam temperaturë të lartë që assesi nuk po mundem ta uli, por po pushoj në shtrat. Nuk dua të shkoj në spital”, dëgjohet duke thënë në fillim të videos Pamela Orlando, 65-vjeçe.

Videoja është filmuar në fund të marsit, por së fundmi është shfaqur në rrjetet sociale. Ishin ditët kur iu shfaqën simptomat e para dhe duket relativisht e shëndoshë, e bindur se do të arrinte ta mundte virusin në shtëpi.

Por të nesërmen fytyra e saj mori ngjyrë të verdhë, e sjelljet ishin më ndryshe siç edhe thotë para kamerës: “A po dukem si mos me keq”.

“Dhimbjet në shpinë, temperatura assesi nuk do të bie, por edhe nëse ndodh – do të vazhdoj të ndihem keq”, thotë Orlando derisa ishte ende në shtëpi.

Të nesërmen kjo infermiere filmoi vetë, duke qëndruar shtrirë në spital duke marrë oksigjenoterapi.

“Dita e tretë e virusit, kam dëgjuar që dita më e vështirë është e nënta, jam e lumtur që jam mirë”, tha ajo duke shpresuar se gjendja shëndetësore do t’i përmirësohej.

Megjithatë në ditën e katërt, videoja shfaq tonin e saj të zërit paksa më ndryshe derisa filmon veten në 3 të mëngjesit e shtrirë në shtratin e dhomës së spitalit.

“Oh zot, kjo nuk është shaka, jam shumë keq”, dëgjohet ajo duke thënë.

E në pamjet e tjera shfaqet edhe më keq duke u ankuar. Gjendja e saj shëndetësore përkeqësohej nga çasti në çast derisa në një moment nuk e di ditën.

“Nuk po e di as cila ditë është, po ndihem shumë keq. Jam aq keq sa që nuk jam e sigurt nëse do t’ia dalë. Të lus Zot, më ndihmo”, lutet ajo.

Pasojnë pamjet ku ajo nuk e flet as edhe një fjalë, përveç se vetëm filmon dhe shihet në oksigjenoterapi.

“Mendoj se është e shtunë, ora 21:15. Sot nuk është ditë e mirë. Nuk po mund as të lëviz e mos të flasë për frymëmarrjen. Lutuni që të jem më mirë”, thotë ajo.

Pamjet e tjera e shfaqin Orlandon, duke u kollitur edhe pse kishte maskën me oksigjen në fytyrë, duke i lutur ata që e shikojnë që të luten për të.

“Vazhdoj të jem shumë keq”, thotë ajo.

Orlando ka vdekur më 16 prill, 24 ditë pas ishte diagnostikuar me COVID-19. /Telegrafi/