20:11 / E Mërkurë, 16 Qershor 2021 / AR

Inspektorati i MINT kthen prapa 152 shporetë të Serbisë, s’e kishin shenjën e konformitetit të Kosovës

Inspektorati i Tregut, në bashkëpunim me Doganën e Kosovës, ka ndaluar hyrjen në treg të 152 pajisjeve elektrike (shporetëve), që bartnin shenjën e konformitetit të Serbisë.

Kështu ka konfirmuar për Indeksonline Kushtrim Dakaj, këshilltari për Inspektime në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT).

Ai tha se ato pajisje janë ndaluar sepse nuk e kishin shenjën e konformitetit të Bashkimit Evropian ose të Republikës së Kosovës, siç kërkohet me legjislacionin në fuqi, por kanë bartur shenjën e Serbisë.

“Pajisjet elektrike “shporetët” janë ndaluar sepse nuk kanë pasur shenjën e konformitetit të Bashkimit Evropian ose të Republikës së Kosovës, siç kërkohet me legjislacionin në fuqi, por kanë bartur shenjën e Serbisë. Edhe gjatë qeverisë Kurti I, Ministrja Hajdari pati nxjerrë urdhëresë që të largohen nga tregu të gjitha mallrat që kanë shenjë të konformitetit të Serbisë”, tha Dakaj.

Këtë urdhëresë ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari e kishte nxjerrë në muajin maj 2020, gjatë Qeverisë Kurti I./Indeksonline/