15:00 / E Hënë, 11 Tetor 2021 / AR

Instagrami – një vrasës i heshtur i vetëvlerësimit?

“Një vajzë 17-vjeçare që shoh për terapi ka një ‘proces selfie’ të përditshëm që mund të zgjasë një orë ose më shumë,” shkruan në një artikull psikologu John Duffy, autor i librit “Prindërimi i adoleshentit në epokën e ankthit”.

Duffy është i specializuar për adoleshentët, prindërit, çiftet dhe familjet. Në punën e tij me të rinjtë, ai ka vënë re se Instagrami është një “vrasës” i heshtur i vetëbesimit.

“Ajo harxhon shumë kohë që të ndryshojë dhe të vendosë filtra te një foto, derisa të ndihet rehat dhe ta postojë në Instagram. Ajo e tregoi procesin një herë në zyrën time, duke pranuar se e dinte që nuk i ngjante fare fotos. Por ‘pëlqimet’ ishin aq të shumta, saqë e dinte që do ta bënte përsëri të nesërmen.”

Psikologu thotë se Instagrami “mund të jetë një vend i errët dhe shqetësues për mendjet e fëmijëve.”

“Duke mos u ndjerë mjaftueshëm të mirë për të postuar një selfie, për shembull, ata vendosin filtra dhe ndryshojnë formën e trupave ndikuar nga personazhet e famshëm, fizikun e të cilëve e adhurojnë.”

Ndër të tjera, ai u shpreh se adoleshentët, në veçanti, janë të fiksuar për të ndryshuar dukshëm imazhin e tyre. Disa të tjerë, rrallë postojnë foto të vetes nga ndjenja e turpit ose frikës se mos i tallin për peshën, fytyrën, flokët etj. Kjo nuk prek vetëm vajzat, por edhe djemtë.

“Sidoqoftë, është e rëndësishme të kini parasysh se djemtë adoleshentë janë gjithashtu në rrezik. Ata shpesh ndjekin djemtë dhe burrat e tjerë për të cilët mendojnë se kanë trupa mashkullorë idealë ose janë më tërheqës sesa ata vetë. Ato mbartin të njëjtat pasiguri si vajzat, por mund të jenë më të heshtur.”

Duffy këshillon që prindërit duhet të flasin hapur me fëmijët për natyrën e Instagramit dhe rrjeteve të tjera sociale. Ata duhet të sigurohen për vetëvlerësimin e fëmijëve duke përfshirë edhe aktivitete të tjera jashtëshkollore, si sport, muzikë, arte etj – që kanë më tepër rëndësi se numri i pëlqimeve ose ndjekësve në Instagram.