15:05 / E Mërkurë, 27 Maj 2020 / indeksADMonline

Instituti i “padefinuar” i krimeve të luftës, i njëjti ishte edhe para 9 viteve

Ministria e Drejtësisë e Kosovës javën e kaluar vendosi të krijojë një ekip përgatitor për të bërë një analizë për themelimin e Institutit të ri për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.

E njëjta ministri ka ngarkuar një ekip prej 15 personash, përfshirë zyrtarë shtetërorë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe profesorë universiteti, që deri në shtator të këtij viti të hartojnë një raport mbi mënyrën se si duhet të funksionojë ky institucioni i ri.

Ky ekip u emërua me datë 13 të këtij muaji, ndërsa e “meta” e tij është se në përbërje ka njerëz politik, konkretisht kryesuese është këshilltarja e kryeministrit Kurti, Fortuna Sheremeti, e nisur nga kjo, një vendim i tillë nuk duket i arsyeshëm.

Por, zëdhënësi i qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, për Indeksonline duke folur rreth të njëjtit vendim thotë se veç këtyre përfaqësuesve, i njëjti vendim mbetet i hapur edhe për akterët e tjerë të cilat janë të interesuar të jenë pjesë të ekipit.

“Për momentin, në përbërje të këtij grupi janë përfaqësues të institucioneve shtetërore, si p.sh Komisionit për të pagjeturit, komisionit për verifikimin e të përdhunuarve, janë shoqata të ndryshme si ajo e burgosurve, e veteranë të luftës, organizata civile, ekspertë të fushës.

Megjithatë, pika 2 e vendimit, lë të hapur hapësirën për ardhjen e akterëve të tjerë të cilat janë të interesuar të jenë pjesë e ekipit”.

Kryeziu foli edhe për rolin e këtij ekipi, derisa tha se analiza do të përfundojë deri në fund të muajit shtator të këtij viti.

“Roli i këtij ekipi është përgatitja e një analize, e cila do të shërbejë si udhërrëfyes për themelimin e Institutit për Krime të kryera gjatë luftës së fundit në Kosovë. Analiza do të përfundojë deri në fund të Shtatorit 2020. Pas analizës, pastaj janë procedurat përmes Kuvendit për miratimin e ligjit të cilat urojmë të mos zgjasin shumë, sepse Kosova ka nevojë të madhe për këtë institut”, thotë zëdhënësi i qeverisë.

Por, nëntë vite me parë, kishte një Institut të njëjtë, i formuar në kohën e ministrit Kuqi. Kështu, formimi i grupit vlerësohet si një kthim mbrapa në një teme tejet të ndjeshme.

Mirëpo, Kryeziu thotë se ky institut i themeluar nga Qeveria Kurti do të jetë më ndryshe në shumë aspekte.

“Instituti i kaluar ka pasur mandat shumë të ngushtë dhe përkrahje shumë të vogël. Nuk ka qenë i themeluar me ligj. Ne konsiderojmë që Instituti që do të formohet prej Qeverisë Kurti do të jetë më ndryshe në shumë aspekte, për shkak se do të përfshihen jo vetëm dokumentimin e krimeve të kryera, por gjithashtu edhe adresimin e dëmit të shkaktuar”.

Ndryshe, Ministria e Drejtësisë nuk ka dhënë informacione të detajizuara se cili është qëllimi i Institutit dhe se si do të funksionojë, ani pse në informimin paraprak ka thënë se do të jetë më ndryshe.

Por, i njejti institucion nuk ka shprehur interesim të përgjigjet as në pyetjet që Indeksonline i ka nisur në e-mail të tyre zyrtare rreth kësaj çështjeje./Indeksonline