16:06 / E Enjte, 28 Qershor 2018 / indeksADMonline

Insulinat, Ministria e Shëndetësisë s`jep shpresë për ndryshim

Ministria e Shëndetësisë do të sigurojë sasi të mjaftueshme të insulinave për pjesën e dytë të vitit. Kështu është bërë e ditur për Indeksonline nga zyra për komunikim me publikun brenda MSh-së.

“Janë marrë planifikimet e reja për pjesën tjetër të vitit dhe MSh do të angazhohet që të ketë sasi të mjaftueshme të insulinave, edhe pas përfundimit të kontratës aktuale, duke lidhur me kohë kontratën tjetër”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Ndërsa, ani pse muaji mbaron edhe dy ditë, MSh ka thënë se në fund të qershorit pritet të bëhet regjistrimi i stokut farmaceutik në depon e ministrisë.

“Insulinat për muajin maj dhe qershor janë shpërndarë me kohë, sipas planifikimeve të institucioneve. Madje për qershor ka pasur një furnizim më të hershëm se sa që e kanë orarin e furnizimeve të rregullt institucionet, me qëllim që gjatë këtij muaji të ketë mundësi të bëhet edhe regjistrimi i stokut farmaceutik në përgjithësi në depon e Ministrisë së Shëndetësisë”, ka sqaruar MSh.

Indeksonline ka kërkuar përgjigje nga ky dikaster se a do të ketë kufizime sa i përket shpërndarjes së insulinave tek pacientët, por redaksia nuk ka marrë përgjigje.

Ndryshe, në muajt e kaluar, pacientët kanë marrë insulinat analoge (NovoMix, NovoRapid) përgjysmë nga sa e kanë të caktuar numrin për një muaj./Indeksonline/

Temat: