20:16 / E Premte, 16 Gusht 2019 / indeksADMonline

Intervistë me Shpend Ahmetin: Preferenca për koalicione, takimet me rivalët politik…!


Kryetari i PSD (Partia Socialdemokrate) i cili njëherësh qeverisë edhe me Prishtinën, Shpend Ahmeti ka dhënë një intervistë ekskluzive për Indeksonline.

Ai ka folur për shumë çështje e ku fokus kryesor janë zgjedhjet që pritet të  mbahen në Kosovë së shpejti.

Ahmeti ka thënë se i ka zënë në befasi ftesa ndaj kryeministrit Haradinaj në Gjykatën Speciale por ai thotë se partia e tij është e gatshme për këto zgjedhje.

Kryetari i PSD-së ka folur edhe për mundësinë e koalicioneve parazgjedhore dhe se në këto matematika ka vija të kuqe vetëm për PDK-në por thotë se edhe me ish partinë e tij një koalicion parazgjedhor është vështirë i arritshëm.

Ahmetit thotë se preferon të bënte koalicion me partitë më të vogla siç janë Nisma Socialdemokrate dhe AKR.

Ahmeti ka folur edhe për ofertat dhe takimet që ka pasur kohëve të fundit me liderët e partive politike për të diskutuar rreth zgjedhjeve dhe shpërndarjes së parlamentit. Ai thotë se që nga ndarja me VV-në nuk ka pasur kurrfarë komunikimi me liderin e Vetëvendosjes Albin Kurti, dhe pret të takohet me liderin e LDK-së Isa Mustafa.

Për më shumë ndiqeni intervistën dhënë për  Indeksonline nga kryetari I PSD-së Shpend Ahmeti.

z. Ahmeti pas dorëheqjes së kryeministrit Haradinaj Kosova tanimë ndodhet ne prag zgjedhjes h, me datën 22 te ketij muaji pritet edhe shpërndarja e kuvendit ku edhe partia juaj PSD ka dorëzuar nënshkrimet për këtë çështje.  A ju ka zënë kjo në befasi dhe sa jeni te përgaditur për zgjedhje të reja ?

Shpend Ahmeti: Dorëheqja e Haradinajt ka qenë e befasishme për neve ashtu siç ka qenë edhe ftesa për gjykatë speciale pra nuk kemi pasur informata paraprakisht se do të jap dorëheqje prandaj nuk mund të themi se e kemi ditur, se a jemi të gatshëm për zgjedhje unë mendoj se secila parti politike duhet e jetë e përgatitur për zgjedhje sepse nuk varet nga partia a shkojmë apo jo në zgjedhje. Kështu që tashmë ne prej momentit të dorëheqjes së Haradinajt jemi dhe kemi qenë në përgaditje të formimit të shtabeve zgjedhore dhe të programit qeverisës të pikave të cilat janë tepër të rëndësishme për neve dhe për zgjedhjet e ardhëshme dhe presim që me 22 gusht duke i marr parasysh nënshkrimet e të gjitha subjekteve politike me 80 vota do të shpërndahet kuvendi dhe të shkojmë në zgjedhje ose me 29 shtator ose me 6 tetor të këtij viti.

Që nga dorëheqja e Hardinajt ka pasur shumë përfolje se do të bëhet një qeveri teknike apo do të këtë një mandatar të ri për kryeministër brenda kësaj legjislature . A do ta pranoni ju një gjë të tillë?


Shpend  Ahmeti: E para nuk mendoj se quhet qeveri teknike kur krijohet nga subjekte politike mendoj se po keqpërdoret termi  qeveri  teknike, ideja ka qenë a mund të ketë një qeveri tjetër politike nga këta numra që kemi në kuvend? Ne mendojmë dhe kemi menduar se jo, për shkak të legjimitetit të çfarëdo qeverie duke pas parasysh që na pret një proces tepër i rëndësishëm siç është dialogu me Serbinë dhe gjykata speciale që është një temë që duhet të trajtohet nga qeveria. Nuk mendojmë se ka pas mundësi , nuk mendojmë se është dashur të krijohet një qeveri e tillë këtë qëndrim e kemi mbajt, dhe mendojmë që njëra prej arsyeve  që nuk ka qeveri është qëndrimi i PSD-së.

Kryetari i Kuvendit Kadri Veseli këto ditë ka deklaruar se njëra nga partitë opozitare i ka ofruar përkrahje për të qenë ai kryeministër por që sipas tij ai nuk ka pranuar. A e ka pasur fjalën për partinë  tuaj?

Shpend  Ahmeti: Absolutisht jo, sepse Partia Socialdemokrate nuk i ka bërë askujt ofertë për qeveri  nuk di që e ka përmend PSD-në dhe nuk mendoj që ka aluduar në neve, dhe unë mendoj që PDK-ja do të pranonte një ofertë të tillë po ti vinte nga partitë tjera për të mbetur dhe të mos shkojë në zgjedhje. Nuk kemi qenë ne nuk e di në kënd ka aluduar dhe nuk ka pasur asnjë diskutim për një koalicion të tillë.

Z. Ahmeti fokusi i mediave dhe opinionit opinionit publik tashmë është tek zgjedhjet dhe koalicionet në mes partive që do të bëhen sidomos koalicionet parazgjedhore . Ju si PSD a do të garoni e vetme në këto zgjedhje apo do të bënë kualicion me ndonjë nga partitë e mëdha?


Shpend Ahmeti: Për neve janë të rëndësishme programi dhe pikat për mandatin e ardhshëm të qeverisë  në aspektin e socialdemokracisë dhe po ashtu është e rëndësishme që t’i kemi qëndrimet që i kemi shfaqë  në platformën për dialogun me Serbinë që kufijtë nuk preken dhe po ashtu nuk ka nivel të tretë të qeverisjes në Kosovë . Se a do të shkojmë vetëm apo me ndonjë parti tjetër në koalicion varet se me cilat subjekte do t’i diskutojmë këto pika me të cilat i përmenda. Ne ende nuk kemi marr ndonjë vendim është këshilli  i PSD-së që do ta marr këtë vendim  pas datës 22 në momentin kur të shpallet data e zgjedhjeve dhe bisedimet për koalicion do të jenë edhe më intenzive.

Ju keni treguar afërsi dhe bashkëpunim me kryeministrin tashmë në detyrë z. Haradinaj duke pas parasysh se ju edhe e shpëtuat rënien e qeverisë duke ja votuar buxhetin e këtij viti, gjithashtu Ramush Haradinaj është shprehur i gatshëm që të bëj kualicion me juve.  A jeni i gatshëm të hyni në kualicion parazgjedhor me AAK-në?

Shpend  Ahmeti: Afërsia nuk është personale ka qenë bashkupunim në pikat të cilat ne i konsiderojmë për interes të shtetit të Kosovës  ne i kemi dhënë përkrahje zotit Haradinaj për ushtrinë e Kosovës dhe kjo ka qenë para votimit të buxhetit.  Haradinaj më ka thirr në takim dhe më ka thënë se është i gatshëm ta procedoj ushtrinë por që do të ketë largim të Listës Serbe dhe a e ka votën e PSD-së për ta mbështetur për ushtrinë, ne i kemi thënë se po nëse ka vendime të tilla për ushtrinë për taksën  mbështetjen  do ta ketë cilado qeveri  kur është në pyetje interesi i Republikës së Kosovës . Por natyrisht kemi pas mospajtime të mëdha në mënyrën se si është organizu kjo qeveri me disa vendime që i ka marrë përfshirë numrin e zëvendësministrave përfshirë disa tema të cilat kanë qenë goxha të ndishme që nuk janë trajtuar si duhet apo janë trajtuar keq nga qeveria Haradinaj.

Tash mbetet të diskutojmë mbi ato prioritete të cilat i potencova mbi programin tonë, i kemi kërkesat tona besoj që do t’i hapim diskutimet edhe me AAK-në, edhe me LDK-në  ne kemi thënë që kemi vijë të kuqe vetëm për PDK-në

Po me ish partinë tuaj Lëvizjen Vetëvendosje a do të bëni koalicion parazgjedhor apo pas zgjedhor ?

Shpend  Ahmeti: Parazgjedhor është thuajse gati e pamundshme, unë e kam potencuar  gjithmonë që ne kemi qenë ithtarë të një blloku të majtë që do të nënkuptonte së paku një bashkëpunim të Nismës Vetëvendosjes dhe PSD-së. Kjo nuk ka ndodhë sepse Lëvizja Vetëvendosje si duket është më e interesuar apo ka më shumë inat me neve se sa me PDK-në dhe kanë punuar tërë kohën që t’i prishin të gjitha urat e bashkëpunimit  pra nuk janë të interesuar për ndryshim në Kosovë  sa janë të interesuar të dëshmojnë diçka para PSD-së . Pra është e pamundur në këtë rast koalicioni parazgjedhor me VV-në por nuk e kisha përjashtuar atë pas zgjedhor,  varësisht prej rezultatit të zgjedhjeve nëse kjo sjellë ndryshim në mënyrën se si do të qeveriset Kosova. Ne jemi të interesuar për ndryshim do të luajmë rolin tonë, jemi të gatshëm të marrim përgjegjësi  edhe për tema të mëdha edhe të vogla siç e kemi dëshmuar prandaj mbetemi të hapur për diskutim.

Që nga ndarja nga LVV a keni pasur takime ose komunikim me kryetarin e saj Albin Kurti?

Shpend  Ahmeti: Jo, asnjëherë nuk kemi pasur as takime e as ndonjë komunikim, ka pasur sulme të cilat vazhdimisht i ka organizuar LVV ndaj neve ndoshta ndonjëherë edhe nuk kemi reaguar por besoj se edhe kësaj i ka ardhur fundi sepse në fund të fundit nuk durohen shpifjet të atij niveli të cilat i kemi përjetuar. Me rëndësi është tani të fokusohemi në ndërrimin e kësaj qeverisëse që e kemi pasur deri më tani.

Nëse do të ju jepej ndonjë mundësi për të qenë mandatar për kryeministër qoftë në situatën aktuale apo edhe pas zgjedhjeve a jeni të gatshëm ta leni në gjysmë mandatin e kryetarit të Prishtinës ?

Shpend Ahmeti: Jo, unë i kam premtimet e mia në Prishtinë që ju kam dhënë qytetarëve, unë do të punoj në përfundimin e atyre premtimeve dhe në përfundimin e mandatit tim në Prishtinë. Pra si koalicion parazgjedhor jo se jo, por në përgjithësi do ta përjashtoja edhe pas zgjedhjeve të kem ambicie të tilla për të marrë poste në qeveri. Çështja është nëse krijohen rrethana komplet të çuditshme të cilat kërkojnë marrjen e përgjegjësisë nga PSD-ja por po e them si qëndron situata nuk jam i gatshëm apo nuk dua që të lë në gjysmë mandatin dhe premtimet të cilat ju kam dhënë qytetarëve të Prishtinës ato i konsideroj prioritare dhe po punojmë që të gjitha ato të përmbushen .

Që nga rënia e qeverisë Haradinaj a keni pasur ndonjë ofertë apo takim me liderët e partive politike?

Shpend  Ahmeti: Sa i përket zgjedhjeve nuk kemi pasur, kanë qenë më shumë takime informuese dmth. kam takuar kryetarin e Nismës z. Limaj edhe kryetarin e AAK-së z. Haradinaj, kam takuar disa deputetë të LDK-së ndërsa me z. Isa Mustafa besoj se do ta kem një takim shpejt edhe kryetarin e AKR-së z. Pacolli do ta kem një takim. Këto janë takime informuese ne i pyesim ata çka po mendoni si po e shihni që do të shkoni më tutje dhe ata na pyesin neve këtë e bani gati secila parti por nuk flasin për këto punë. Secila po e sheh tash se kush çka do të bëj unë po mundohem që do të jem sa më real, janë disa subjekte që pretendojnë vendin e parë dhe nga sondazhet dalin për afërsisht aty dhe pastaj janë mundësitë e koalicioneve të cilat po i diskutojnë me Nismën, PSD-në dhe me AKR-në.

Këto janë idetë tash ai vendimi i gjykatës kushtetuese prapë mund të sjellë koalicione të çuditshme e ne duhet të punojmë që të mos të ndodhë një PAN 2 pra një koalicion që ka qenë nga zgjedhjet e kalume sepse është dëshmuar se ai është jofunksional.