75 Mall Live Search
12:55 / E Premte, 18 Korrik 2025 / mp

IPK-ja hap zyrat e reja në veri

Inspektorati Policor i Kosovës ka hapur sot zyrat e reja në Mitrovicën e Veriut. Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë  ministri i Brendshëm në detyrë z. Xhelal Sveçla, Kryeshefi i IPK-së z. Kushtrim Hodaj, kryetari i Komunës së Mitrovicës z. Erden Atiq si edhe zyrtarë e eprorë nga ARC-ja, IPK-ja dhe Policia e Kosovës.

Zyrat e reja të IPK-së tani janë në “Lagjen e boshnjakëve”, në rrugën “Çlirimi” në objektin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Në fjalimet e rastit, hapja e zyrave të reja u konsiderua si një  hap i rëndësishëm drejt fuqizimit të kapaciteteve të Inspektoratit Policor të Kosovës .

Ministri i Brendshëm në detyrë z. Sveçla dhe kryeshefi i IPK-së z. Hodaj  theksuan rëndësinë e zyrave të reja të IPK-së për përmirësimin e shërbimeve dhe forcimin e besimit të qytetarëve në sundimin e ligjit  në Kosovë.

Kryeshefi i IPK-së, gjatë fjalës së tij, falënderoi Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë për Regjistrim Civil (ARC) për mbështetje të vazhdueshme në realizimin e këtij projekti të rëndësishëm.

Ministri i Brendshëm në detyrë gjatë ceremonisë, theksoi rëndësinë e hapjes së zyrave të reja të IPK-së, duke e vlerësuar këtë si një hap të rëndësishëm për forcimin e rendit dhe ligjit në këtë pjesë të Kosovës. Ai shtoi se hapja e zyrave te reja do të kontribuojë në fuqizimin e integritetit dhe besueshmërisë së Policisë së Kosovës.

Përgjatë viteve, IPK-ja ka ofruar shërbime në Mitrovicën e Veriut që nga hapja e zyrës së parë në vitin 2015, e vendosur  deri dje në një objekt me qera në rrugën “Mbreti Peter”.

Zyrat e reja të IPK-së në Mitrovicën e Veriut do të funksionojnë në shërbim të qytetarëve nga e hëna deri të premten, nga ora 08:00 deri në orën 16:00.