Irani pezullon bashkëpunimin me inspektorë të huaj bërthamorë

Irani e pezulloi përkohësisht bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA).
Presidenti Masoud Pezeshkian e nënshkroi legjislacionin përkatës, raportoi të mërkurën agjencia e lajmeve Tasnim.
Vendimi do të thotë se Irani nuk do t’i lejojë inspektorët e IAEA-s të hyjnë në vend, derisa të garantohet “siguria” e objekteve të tij bërthamore.
Që kjo të ndodhë, organizata me seli në Vjenë duhet t’i dënojë sulmet e SHBA-së dhe Izraelit ndaj objekteve bërthamore të Iranit dhe ta pranojë programin bërthamor iranian, tha më herët kryetari i Parlamentit të Iranit, Mohammad Bagher Ghalibaf.
Shumë detaje të rregullores së re mbeten ende të paqarta.
Sipas një zëdhënësi të Ministrisë së Jashtme të Iranit, inspektorët bërthamorë të IAEA-s janë ende në këtë vend.
Megjithatë, atyre nuk u lejohet qasja në objektet bërthamore, të dëmtuara nga sulmet e Izraelit dhe të SHBA-së.
Më 13 qershor, Izraeli nisi një fushatë të madhe bombardimesh kundër Iranit, për ta penguar, siç tha, nga krijimi i armës bërthamore.
Irani, i cili mohon se ka ambicie të tilla, u përgjigj me sulme me raketa dhe dronë kundër Izraelit.
Disa ditë më vonë, më 22 qershor, aleatja e Izraelit, SHBA-ja, kreu sulmet e veta kundër objekteve bërthamore iraniane në Fordo, Isfahan dhe Natanz.
Sipas autoriteteve në Iran, mbi 900 njerëz humbën jetën në konfliktin 12-ditësh.
Sulmet hakmarrëse të Iranit vranë 28 persona në Izrael, sipas autoriteteve atje.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se sulmet e SHBA-së kanë “shkatërruar” programin bërthamor të Iranit, megjithëse shkalla e dëmit nuk është e qartë.
Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, pranoi se në objektet bërthamore ka dëme “serioze”.
Aktualisht, në fuqi është një armëpushim mes Izraelit dhe Iranit. /REL