Isa Mustafa lufton pushtetin në Facebook, me këto akuza të radhës
I pari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, njëherësh ish-kryeministër i vendit, Isa Mustafa ka përkujtuar sot kundërshtimin e krerëve të tanishëm të vendit lidhur me marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi.
Mustafa tha se në vitin 2016 kur kërkohej të ratifikohej marrëveshja e demarkimit, këta që janë sot në pushtet kundërshtonin dhe propagandonin se humben mbi 8 mijë hektar tokë, transmeton Indeksonline.
Kryetari i LDK-së, gjithashtu ka theksuar se pikërisht atëherë u humb shansi që të përmbyllej procesi i liberalizmit dhe se në prag të zgjedhjeve për Parlamentin evropian, rreziku nga popullizmi i ka kaluar kufijtë e mashtrimeve dhe privatizimit.
Postimi i plotë nga Isa Mustafa:
Kur në vitin 2016 kërkonim të ratifikohet marrëveshja e demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si kusht për liberalizim të vizave por edhe si instrument i sovranitetit shtetëror, këta që sot janë në pushtet e kundërshtonin dhe propagandonin rrejshëm se po humbim mbi 8000 hektar tokë. Me mashtrime dhe me politika populliste, atëherë humbëm shansin ta përmbyllim procesin e liberalizimit. Tani , në prag të zgjedhjeve për Parlamentin evropian, rreziku nga popullizmi i ka kaluar kufijtë e mashtrimeve dhe primitivizmit tonë. Ekziston frika reale se shtete të veçanta do të hezitojnë të përkrahin liberalizimin e vizave për Kosovën, duke u frikësuar nga popullistët, të djathtë e të majtë, në vendet e tyre, deri sa të përfundojë procesi i zgjedhjeve në institucionet e BE, epilogu i të cilave është vështirë të dihet.
Individët, që sot flasin se liberalizimi mund të shtyhet deri në vitin 2020, dhe që mundohen ta hedhin gurin te opozita,e dinë mirë se ku është problemi, por iu nevojitet një përbaltje e brendshme për ta arsyetuar veten. Pavarësisht nga kjo, Kosova duhet të bëjë përpjekje maksimale që qytetarët e saj të lirohen nga regjimi i vizave sa më shpejtë; të garantojmë se ky vend do të qeveriset mirë e pa korrupsion, se do ta zhvillojmë ekonominë e të hapim vende pune. Të mos ndjellim frikë se të rinjtë tanë do ta braktisin Kosovën e do ta marrin botën në sy. IM