20:44 / E Mërkurë, 31 Tetor 2018 / indeksADMonline

Ischinger: Propozimi i Gjermanisë kritikohet nga Thaçi e Brnabiq

Diplomati i njohur, në të kaluarën sekretar shteti në Gjermani, Wolfgang Ischinger përmes rrjetit social Twitter ka thënë se pozicioni i qeverisë gjermane është kritikuar nga presidenti kosovar, Hashim Thaçi si dhe nga kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq.

Ischinger e ka cilësuar diskutimin për çështjen e Kosovës dhe Serbisë mes pjesëmarrëseve të konferencës së ‘Munih-ut’, si shumë serioze dhe të gjallë.

Deklarata e tij erdhi si replikë ndaj një postimi që kishte bërë kryeministrja serbe rreth zhvillimeve në këtë konferencë që po zhvillohet në Minsk.

Lidhur me gjithë këtë ka reaguar edhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu i cili ka thënë se Hashim Thaçi duhet të ndalet menjëherë.

“Ai momenti kur Gjermania na e mbron fuqishëm shtetin dhe sovranitetin, e aleati kryesor i Serbisë (Presidenti i Kosovës) e kritikon atë. Ky njeri duhet të ndalet MENJËHERË!”, ka shkruar Sejdiu, transmeton Indeksonline.

Ndryshe Thaçi dhe Brnabiq thuhet të kenë kritikuar Gjermaninë për qëndrimin që ka karshi mundësisë së ndryshimit apo korrigjimit të kufijve Kosovë-Serbi./Indeksonline/